Forcimi i luftës kundër informalitetit/ Të ardhurat nga akciza 49 miliardë lekë gjatë vitit 2021

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Të ardhurat nga akciza gjatë vitit 2021 vlerësohen të arrijnë 49 miliardë lekë, me një rritje prej 4.4 miliardë lekë ose 9.9% më shumë se pritshmëritë për vitin 2020.

Në relacionin për projektbuxhetin e vitit 2021, ministria e Financave dhe Ekonomisë rendit faktorët kryesorë që do ndikojnë në rritjen e parashikuar të të ardhurave nga akciza që lidhen me rritjen e importit të mallrave të fortë si karburante dhe cigare, si dhe forcimin e luftës kundër informalitetit.

Po ashtu, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e mbështet parashikimin e saj edhe në një kontroll rigoroz të subjekteve të akcizës si dhe disiplinimin e mëtejshëm të procedurave të përfitimit të përjashtimeve dhe rimbursimeve nga kjo taksë.

Të ardhurat nga akciza gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti janë realizuar në masën 32.1 miliardë lekë, 2.7 miliardë lekë ose 7.9% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019, si dhe realizim 100% e planit të akcizës për këtë 9-mujor.

Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga akciza ka pasur produkti i duhanit në import, me një rritje prej 12 tonësh dhe me një efekt +46 milionë lekë më shumë se 9-mujori i vitit të kaluar, etj. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.