Fermerët afat deri më 31 dhjetor 2020, për kartën dhe numrin e regjistrit të fermës

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Fermerët e pajisur me numër unik nga tatimet dhe të regjistruar në RUDA (sistem shtetëror i automatizuar për numrin e kafshëve të gjalla që posedojnë), por nuk janë të pajisur me numër unik nga Ministria e Bujqësisë kanë afat për aplikim deri më 31 dhjetor.

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, “fermerët kanë 60 ditë kohë të plotësojë të dhënat dhe të paraqesë dokumentacionin mbështetës, ose në rast të kundërt kalojnë në status pasiv”.

Fermerët paraqesin kërkesën e plotësuar për regjistrim në mënyrë elektronike në regjistër, duke konfirmuar elektronikisht përgjegjësitë e tyre si kërkues, ose dorëzojnë kërkesën të firmosur personalisht në letër, duke u paraqitur në degën e Agjencisë së Pagesave, e cila plotëson të dhënat në Regjistër duke bashkëngjitur edhe dokumentet që shoqërojnë kërkesën. Afatet e regjistrimit janë të përcaktuara në udhëzimin “Për mënyrën e kushtet e mbajtjes të regjistrit të fermës” e Ministrisë të Bujqësisë, që është botuar në Fletoren Zyrtare.

“Kartat e lëshuara deri para hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi do jenë të vlefshme deri më 31 dhjetor 2020. Karta e fermerit është një dokument, që lëshohet nga Agjencia e Pagesave, përdoret jo vetëm në ushtrimin e të drejtave në bujqësi, por edhe si mjet identifikimi për shërbime elektronike. Afati i vlefshmërisë së kartës është 5-vjeçare”, bëhet e ditur në udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.