Dhënia e nënshtetësive nga Meta/ Komisioni i Sigurisë, seancë dëgjimore me gazetarin Doçi

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Komisioni i Sigurisë Kombëtare, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me gazetarin Adriatik Doçi lidhur me publikimin e informacioneve mbi procesin e dhënies së nënshtetësive nga Presidenti Ilir Meta.

Gazetari tha se në dhjetë vite janë dhënë vetëm 76 nënshtetësi shqiptare për interes kombëtar, ndërsa  vetëm në tre vite e fundit ky numër ka arritur në 854, ku disa nga përfituesit rezultojnë me precedentë penal.

Ai tha se njëri prej tyre rezulton i dënuar me 30 vite burg për vrasjen e 5 anëtarëve të një familje. “Nga 854 nënshtetësi të firmosura, 419 nënshtetësi nga verifikimet që kam bërë, Presidenti Ilir Meta i ka bërë me vullnetin e tij, pa propozimin e institucioneve të tjera ligjzbatuese apo institucioneve të tjera të ministrive të linjës”, tha ai.

Doçi vuri në dukej gjithashtu se dyshimet e tij kanë lindur pasi në faqen zyrtare të Presidencës të dhënat për dhënien e nënshtetësisë ishin fshirë.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, reagoi sot ndaj gazetarit Adriatik Doçi i i cili në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dha informacion mbi procesin e dhënies së nënshtetësive nga Presidenti Meta, ku e akuzoi atë për shpifje të rënda ndaj opinionit publik, për rastin e marrjes së shtetësisë shqiptare të një ish-luftëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sqarojmë se për rastin në fjalë, Presidenti i Republikës ka marrë në konsideratë kërkesën e titullarëve të institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës. Ky shtetas, referuar dokumentacionit zyrtar të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, certifikuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Kosovës, rezulton i padënuar”, thekson Blushi.

Blushi i bën thirrje institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri dhe Kosovë të nisin menjëherë hetimet mbi gazetarin mbi shpifjet e bëra të cilat sipas tij meritojnë përgjigje të menjëhershme ligjore.

“I bëjmë thirrje publike dhe i nxisim me forcë të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe veçanërisht ato të drejtësisë, në Shqipëri dhe në Kosovë, të reagojnë menjëherë, për të izoluar, nisur menjëherë hetimet dhe për të vendosur para përgjegjësisë gazetarin për të gjitha këto shpifje të ndyra, që meritojnë përgjigje të menjëhershme ligjore, për më tepër të bëra sot para Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare”, u shpreh Blushi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.