COVID-19 – OBT: Turizmi botëror në pikiatë

MADRID, 27 tetor /ATSH-AFP/ – Turizmi në shkallë globale pësoi një rënie me 70% në tetë muajt e parë të vitit 2020 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nën efektin e pandemisë së COVID-19, njoftoi sot Organizata Botërore e Turizmit (OBT).

”Muajt ​​e verës, zakonisht sezoni më i lartë turistik në hemisferën veriore, ishin katastrofikë, me -81% të turistëve në korrik mbi një vit dhe -79% në gusht”, specifikon kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara me qendër në Madrid.

“Kjo rënie do të thotë 700 milionë më pak mbërritje të turistëve dhe një humbje prej 730 miliardë dollarësh për sektorin global të turizmit, më shumë se tetë herë krahasuar me humbjet e regjistruara pas krizës financiare globale të vitit 2009”, theksoi OBT në njoftimin e saj për shtyp.

Rajoni i Azi-Paqësorit, i prekur i pari nga pandemia, është goditur më rëndë (-79%), i ndjekur nga Afrika dhe Lindja e Mesme (-69%), Europa (-68%) dhe kontinenti amerikan (-65%).

“Rënia e mbërritjeve të verës në Europë ishte pak më e vogël se diku tjetër (-72% në korrik dhe -69% në gusht), por ky rikuperim ishte jetëshkurtër pasi kufizimet e reja të udhëtimit u rivendosën në sfondin e rritjes së rasteve”, nënvizoi OBT.

Në vitin 2019, turizmi botëror njohu një rritje prej 4% të turistëve.

Franca ishte destinacioni numër një para Spanjës dhe SHBA-së./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.