COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 103 të shëruar, 284 raste të reja dhe 7 humbje jete në 24 orët e fundit

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informoi sot se “në 24 orët e fundit janë kryer 1278 testime, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 284 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV 2”.

Sipas Ministrisë, “janë shëruar 103 qytetarë, duke e çuar në 10808 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë”.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki:
119 raste në Tiranë, 29 në Shkodër, 26 në Durrës, 13 në Vlorë, 12 në Pogradec, 11 në Korçë, nga 10 raste në Fier, Elbasan, 9 në Lushnjë, 8 në Berat, nga 6 raste në Kavajë, Gjirokastër, Përmet, nga 5 raste në Krujë, Devoll, Sarandë, 4 në Librazhd.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 285 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID-19, një infermiere 50-vjeçare nga Elbasani, një mjek 64-vjeçar nga Lushnja, një 61-vjeçare, një 62-vjeçar dhe një 76-vjeçar nga Tirana, një 78-vjeçar nga Fieri, një 81-vjeçar nga Mirdita me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët për të mbajtur detyrimisht maskën edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.

“Maska/Barriera mbrojtëse e fytyrës ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet duke minimizuar transmetimin e tij nëpërmjet spërklave nga individë të infektuar. Përdorimi i barrierës mbrojtëse duhet të konsiderohet vetëm si një masë plotësuese dhe jo si zëvendësim i masave parandaluese. Ajo duhet të zbatohet së bashku me distancën fizike 1.5 – 2 m dhe higjienën e duarve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu Ministria e Shëndetësisë bën thirrje që të kontaktohet me mjekun e familjes ose të telefonojnë Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse qytetarët dyshojnë se janë prekur nga COVID-19.

“Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes, për shërbim psikologjik të specializuar dhe të sigurt si dhe për çdo informacion tjetër rreth COVID-19”, thuhet në njoftim.

COVID-19 – Statistika (27 tetor 2020)
Raste të reja ditore 284
Të shëruar në 24 orë 103
Të shtruar në spitale 285
Humbje jete në 24 orë 7
Testime ditore 1278
Testime totale 119607
Raste pozitive 19729
Raste të shëruara 10808
Raste aktive 8434
Humbje jete 487

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 4302
Durrës 809
Fier 551
Shkodër 521
Korçë 506
Lezhë 387
Elbasan 380
Vlorë 338
Berat 238
Kukës 182
Gjirokastër 128
Dibër 92

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.