Arkiva elektronike/ Gjonaj: Akses në të gjitha aktet e botueshme sipas standardeve të BE-së

TIRANË, 27 tetor /ATSH – I. Vata/ Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e cilësoi sot një sukses tejet të rëndësishëm në punën e institucionit që drejton, krijimin e sistemit të arkivës elektronike të akteve.

Kjo arkivë shërben për regjistrimin, editimin, publikimin, përditësimin, ruajtjen, administrimin dhe aksesimin e të gjithë akteve të botueshme, në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar, politikat kombëtare, standardet e Bashkimit Europian dhe praktikave më të mira në botë në këtë drejtim.

“Një ndryshim si nata me ditën me çka gjetëm në Qendrën e Botimeve Zyrtare ku mungonte Arkivi Elektronik i Akteve (sistemi i integruar elektronik i të dhënave). Nuk kishte aksesim të akteve të viteve 1990-1999. Çdo proces pune si regjistrimi, ruajtja, kërkimi i akteve ishte manual. Nuk kishte vulë elektronike të akteve. Nuk afronte asnjë metodë kërkimi sipas fushave, apo kërkim me tekst të plotë për aktet e botueshme si dhe ndryshimet që mund të kishin pësuar këto akte”, u shpreh Gjonaj.

Po ashtu, ministrja Gjonaj theksoi se “puna e palodhur dhe plot pasion e ekipit të profesionistëve të Ministrisë së Drejtësisë, na ka mundësuar të jemi pararojë në rajon edhe në këtë drejtim”. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.