Alimadhi: PD është larguar nga e djathta, gati të bëj pakt me Ramën për të mirën e Shqipërisë

TIRANË, 27 tetor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi ka deklaruar se është i gatshëm të bëjë pakt edhe me Partinë Socialiste, nëse kjo është në të mirën e Shqipërisë.

Ai tha se nëse bëhet fjalë për të mirën e qytetarëve është gati të bëjë pakt edhe me djallin.

“Jam kundër ndryshimeve në Kod Zgjedhor. Lëvizjet në sistem s’e dëmtojnë Ballin Kombëtar. Për ndryshimet në Kushtetutë unë kam votuar kundër. S’më lidh asgjë me të majtën, kam dashur disa herë të jap sinjale për këtë politikë. Mund të dija të shkoja dhe në një subjekt tjetër, por kam zgjedhur të vazhdoj traditën e të parëve të mi. S’kam zgjedhur të shitem, se po të ishte kështu do e kisha bërë mirë e bukur. Kam dashur të jap një sinjal politik se nëse politika do të mbajë Ballin Kombëtar jam i gatshëm të bëj bashkëpunim për të mirën e qytetarëve dhe me djallin. Edhe me të djathtën. Nëse duhet për të mirën e Shqipërisë mund ta bëj këtë bashkëpunim dhe me të majtën. Nëse Edi Rama na ndjek, i them se jam gati ta bëj këtë”, tha Alimadhi.

Për sa i përket opozitës, Alimadhi deklaroi në një intervistë televizive se ka lëvizur nga e djathta dhe ka shkuar në qendër.

“Unë nuk dua dhe s’kam dëshirë të futem në idetë dhe mendimet se çfarë bëjnë partitë e tjera. E djathta në Shqipëri është goditur dhe vazhdon të goditet. PD ka bërë gabim. Duhet të kishte bërë kujdes në përzgjedhjen e elementëve. E djathta është goditur nga elementë të caktuar. Lëvizjet politike çfarë sollën në Shqipëri gjatë kohës që morëm mandatin? PD- LSI me një bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrin. E majta dominon në institucione në koncept. PD ka larguar pak të djathtën dhe është afruar në qendër. Opozita e atëhershme që doli përballë komunizmit, mendoj se nuk janë trajtuar si duhet, por ne do të ishim një zë në PD ndoshta për të dhënë dhe ide. Shqipërisë i mungon një alternativë e duhur kombëtare. Ka filluar të zgjohet faktori kombëtar, sepse ka filluar t’i japë shkëndijat e para pavarësia e Kosovës”, tha Alimadhi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.