Alibeaj: Reagimi i administratores së inceneratorëve, shantazh më vete

TIRANË, 27 tetor/ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se administratorja e kompanisë së inceneratorëve, Stela Gugallja foli me gjuhën e Ramës.

“Reagimi i administratores së kompanisë së inceneratorëve, Stela Gugallja, me fjali të stilit “alla Rama”, është një shantazh më vete”, tha ai.

Alibeaj shprehet se “mafia me të cilën ajo punon, e detyron të reagojë”.

“Nesër, për të shpëtuar veten, ia hedhin përpara drejtësisë, siç kanë bërë deri tani, për të shpëtuar veten e tyre. Natyrisht, peshku i madh Edi Rama, nuk do t’ia hedhë dot duke përdorur emrat e këtyre që qëndrojnë përpara mafias së plehrave”, deklaroi Alibeaj.

Më herët, Stela Gugallja, administratorja e kompanisë “Albtek-Energy” shpk e cila zotëron inceneratorin e Elbasanit, iu përgjigj akuzave të kreut të PD-së Lulzim Bashës, në lidhje me kërkesën e tij, që SPAK të nisë hetimet për aferën e inceneratorëve.

Në reagim, Stela Gugallja shprehet se “në jetën e biznesit dhe jashtë saj nuk jam përfshirë në asnjë veprimtari të paligjshme që të më bëjë objekt shantazhi apo kërcënimi. I vetmi që më ka vënë nën presion dhe më shantazhon është zoti Lulzim Basha dhe njerëz rreth tij. Prej kohësh jam vënë nën sulme politike nga Partia Demokratike”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.