4.2 miliardë lekë rritje buxhetore për Energjinë dhe Infrastrukturën/ Balluku: Prioritet, vijimi i projekteve

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Në mbledhjen e sotme të komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, u shqyrtua projektligji “Për buxhetin e vitit 2021”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u ndal në mënyrë të veçantë në objektivat kryesore që synohet të arrihen nëpërmjet projektbuxhetit 2021 për institucionin që drejton dhe theksoi se fushat me prioritet për ministrinë do të jenë: energjia, planifikimi urban, transporti rrugor, detar, hekurudhor dhe ajror.

Gjithashtu, ministrja Balluku e vuri theksin tek planifikimi, menaxhimi dhe administrimi i burimeve natyrore dhe mbështetja për industrinë.

“Projektbuxheti për vitin 2021 që i është akorduar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë arrin në vlerën e 49.3 miliardë lekëve, nga të cilat shpenzime korente kapin vlerën 3.7 miliardë lekë ndërsa shpenzimet kapitale arrijnë në velën 45.6 miliardë lekë”, – tha Balluku.

Sipas saj, shpenzimet kapitale sigurohen 27.4 miliardë lekë nga financimi brendshëm dhe nga financimi jashtëm 18.2 miliardë lekë.

“Për vitin 2021 kemi një rritje buxhetore prej 4.2 miliardë lekësh. Por buxheti i akorduar nga Ministria e Financave për MIE është 45% e kërkesës fillestare që ne kemi bërë bazuar në projektet e reja që hapim apo në projektet që duhet të vazhdojnë apo edhe në kostot korente”, – u shpreh Balluku.

Ajo tha se prioritet për ministrinë do të vijojnë të jenë projektet dhe investimet në sektorët e rëndësishëm të ekonomisë siç janë: energjia, planifikimi urban, transporti rrugor, detar, hekurudhor dhe ajror. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.