ZVICËR – Ghebreyesus: Nuk duhet të dorëzohemi në luftën kundër pandemisë

GJENEVË, 26 tetor /ATSH-AFP/ – Sekretari i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus pranoi sot se pas disa muajsh përpjekje me pandeminë, që ka marrë më shumë se 1,1 milionë jetë, po fillon të ndihet njëfarë lodhjeje, megjithatë bëri thirrje për të mos hequr dorë nga kjo luftë.

Thirrja e kreut të OBSH-së vjen vetëm një ditë pasi një zyrtar i lartë i administratës së Donald Trump la të kuptohej se SHBA-ja po heq dorë nga marrja nën kontroll e pandemisë dhe se do të përqendrohet vetëm te ilaçet dhe vaksinat.

“Ne nuk mund të dorëzohemi. Ne nuk duhet të dorëzohemi. Është e rrezikshme të heqim dorë nga kontrollimi i pandemisë”, tha ai në sfondin e ringjalljes së COVID-19 si në Europë, ashtu dhe në SHBA.

“Kur ata që ndërmarrin veprime, veprojnë shpejt, virusi mundet”, shtoi Ghebreyesus.

Ai  theksoi se pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme mbrojtja e më të prekshmëve dhe se heqja dorë nga marrja nën kontroll e pandemisë është e rrezikshme./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.