Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u dërgon formularin 2 të dënuarve në Cërrik e Elbasan

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, 2 shtetasve të tjerë.

OFL i ka nisur kërkesën për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë shtetasit Ll. B., banues në Cërrik, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe shtetasit
B. I., banues në Elbasan, për të cilin Gjykata e Milanos, Itali, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë terroriste”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.