Spitalet janë gati me stafe të trajnuara/ Rama në COVID 3: Asnjëherë qysh se ka nisur kjo luftë nuk jemi kapur të papërgatitur

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot nga afër ambientet e Spitalit COVID 3, të cilat janë të pajisura me aparatura dhe personel shëndetësor të mirëtrajnuar dhe janë gati për të pritur pacientët me COVID-19.

“E kemi thënë dhe e rithemi: Spitalet COVID 3 dhe 4 janë gati dhe asnjëherë, asnjë çast, qyshse ka nisur kjo luftë, nuk jemi kapur të papërgatitur, përkundrazi. Stafet rezervë janë rekrutuar, janë trajnuar dhe janë në gatishmëri”, tha Kryeministri Rama, duke përsëritur sërish apelin për mbajtjen e maskës, të distancës dhe të higjienës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksoi se “struktura ka qenë gati”. “Besojmë se për shkak të fluksit të rritur Spitali do të funksionojë këtë javë. Janë përgatitur prej muajsh mjekët dhe infermierët që janë trajnuar dhe janë gati të ofrojnë shërbim, ndërkohë që Spitali është i pajisur me të gjitha monitorët e respiratorët që duhen”, tha ajo.

Sipas Manastirliut, “COVID 3 do të funksionojë te struktura e ish-kirurgjive dhe në total ka një kapacitet prej 150 shtretërish, përfshi edhe njësi të reanimacionit si dhe sallë kirurgjie në rast se do të ketë nevojë për ndërhyrje”.

Manastirliu tha se aktualisht janë 40-50 shtretër të lirë në dy strukturat COVID 1 dhe COVID 2, dhe pas ezaurimit të tyre, do të hapet edhe COVID 3.

“Në të dyja strukturat COVID kemi 40-50 shtretër të lirë. Por duke parë trendin e rasteve në rritje mendojmë brenda javës të hapim edhe COVID 3. Ndërkohë që kemi dhe COVID 4 me rreth 100 shtretër, i cili dhe ai është gati. Doktorët dhe infermierët janë gati për të filluar në çdo moment që do të jetë e nevojshme”, tha Manatirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se mjekët dhe stafi infermieror do të vazhdojë ta marrin bonusin deri në fund, ndërsa u bëri apel qytetarëve për mbajtje e maskës.

“Referuar studimeve të fundit redukton mortalitetin, pasi sa më shumë mbahet aq më pak virulent je”, tha ajo.

Ndërkohë vaksinimi i popullsisë kundër gripit stinor vazhdon, teksa i gjithë trupa e shërbimit mjekësor në vend, duke qenë një grup me risk më të lartë, është vaksinuar tashmë.

“Vaksinimi për gripin, – tha ministrja Manastirliu, – po shkon mirë. Pjesa e parë rreth 70 000 vaksina janë ezauruar. Personali mjekësor e ka bërë tërësisht, sepse ishte grupi i parë i kategorive në risk. Kemi filluar me vaksinimin e pjesës tjetër të popullatës dhe presim në datë 28-29, pjesën tjetër të vaksinave, që të përmbushim 368 mijë vaksinat që kemi porositur”.

Ministrja Manastirliu vërejti se në ndërkohë kemi edhe një rritje të përgjegjshmërisë së qytetarëve në raport me respektimin e masave antiCOVID.  “Qytetarët janë ndërgjegjësuar që është i vetmi mjet i gjithëpranuar që mbron”.​

Shefja e spitalit Infektiv prof. Najada Çomo tha se “struktura e re është përfunduar në aspektin fizik dhe të burimeve njerëzore”. “Është instaluar oksigjeni në çdo shtrat, janë pajisur me respiratorë dhe stafi, mjekë dhe infermierë, është trajnuar prej disa muajsh. Personeli infermieror është rekrutuar përmes portalit dhe një pjesë janë vullnetarë”, u shpreh Çomo.

Ajo theksoi se prej 7 muajsh mjekët dhe infermierët kanë punuar në spitalet antiCOVID.

“Kemi numër të shtuar pacientësh, por ende kemi kapacitete në dy spitalet e tjera COVID. Për sa kohë kemi kapacitete të tjera nuk ka arsye të hapim COVID 3, por gjithësesi kemi tendencën në rritje”, tha Çomo.

Ajo tha se pacientët në Shqipëri trajtohen sipas protokolleve mjekësore të njëjta si kudo në botë dhe ofrohet falas.

“Ne kemi gjithçka që thuhet në botë, të gjitha protokollet e nevojshme. Së fundmi edhe me Remdisivirin. Çfarë është shkruar në protokollet e botës e kemi edhe ne. Pacientët janë duke e marrë, duke e ofruar falas 100%, sikurse janë ofruar të gjitha barnat e tjera që janë shkruar në protokollet e botës. Të gjitha barnat ne i përdorim atëherë kur duhet”, tha prof. Çomo./a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.