SHBA – Pompeo fillon turin indo-paqësor

UASHINGTON, 26 tetor /ATSH-DPA/ – Zyrtarët më të lartë të departamenteve amerikane të Shtetit dhe të Mbrojtjes filluan turin gjashtëditor të vizitave zyrtare në vendet aziatike, në atë që shihet gjerësisht si një përpjekje për të forcuar lidhjet dhe për të përmbajtur ndikimin dhe qëndrimin në rritje të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit.

“Po përgatitem për udhëtimin tim në Indi, Sri Lanka, Maldive dhe Indonezi”, shkroi sekretari i Shtetit, Mike Pompeo në Twitter.

“Ne jemi mirënjohës për mundësinë për t’u lidhur me partnerët tanë për të nxitur një vizion të përbashkët për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur të përbërë nga kombe të pavarura, të forta dhe të prosperuara”, theksoi ai.

Pompeo dhe sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper do të takohen me homologët e tyre indianë Subramaniam Jaishankar dhe Rajnath Singh.

Departamenti i Shtetit tha në një konferencë para vizitës se diskutimet do të përqendroheshin në bashkëpunimin global, reagimin pandemik, sfidat në Indo-Paqësor dhe bashkëpunimin për mbrojtjen dhe sigurinë.

Vizitat vijnë në një kohë kur India është e përfshirë në një konfrontim ushtarak me Kinën përgjatë kufirit të tyre të diskutueshëm të Himalajave. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.