Ruçi: Mirënjohje Austrisë, avokates së integrimit europian të Shqipërisë

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgang Sobotka, me rastin e Festës Kombëtare.

“Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë të ulem dhe të shkruaj një letër për Ju. Letërkëmbimi i shpeshte është shenjë e miqësisë sonë, e respektit të ndërsjelltë, si shprehje e ndjenjave e dëshirave të popujve tanë dhe i bashkëpunimit të ngushtë midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit Kombëtar të Austrisë”, shprehet Ruçi.

“Me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë, Ju përcjell urimet më të përzemërta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht, për Ju, Këshillin Kombëtar dhe popullin mik austriak. 26 tetori, Dita Kombëtare, është një ngjarje historike për Austrinë, vendin mik e partner të ngushtë të Shqipërisë. Për të gjashtëdhjetë e pestin vit rrjesht, Austria nderon miratimin nga Parlamenti të Ligjit Kushtetues mbi neutralitetin, ditë në të cilën Austria rifitoi statusin si një vend i pavarur e sovran dhe që prej 55 vitesh kremtohet si Festë Kombëtare”, tha Ruçi.

“Austria është sot një ndër vendet më të rëndësishme të Bashkimit Europian dhe një mbështetëse dhe avokate e integrimit europian të Shqipërisë, për të cilën Ju jemi shumë mirënjohës. Në këtë mbështetje ne kemi ndjerë gjithmonë edhe përkrahjen dhe inkurajimin Tuaj personal”, theksoi ai.

“Gjatë këtij viti të vështirë për njerëzimin, vendet tona po përballen me pasojat e pandemisë së COVID-19 dhe unë rishpreh besimin tim se vendet tona dhe mbarë njerëzimi do ta përballojnë me durimin dhe masat e nevojshme këtë kërcënim për mbarë botën”, përfundon letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.