Reforma në Drejtësi mbështetje të konsiderueshme në buxhetin e 2021-it

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Reforma në Drejtësi, një përpjekje ambicioze e qeverisë me objektiv transformimin rrënjësor të një sistemi të gangrenizuar nga korrupsioni, ndërhyrjet politike, mungesa e profesionalizmit dhe integritetit do të marrë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore në 2021-in.

Sipas p/buxhetit për vitin 2021, i cili ka mbërritur në Kuvend për shqyrtim, fondi në dispozicion për veprimtarinë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) llogaritet 500 milionë lekë.

Për veprimtarinë e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë fondi në projektbuxhetin e 2021 llogaritet 245 milionë lekë, për veprimtarinë e Rivlerësimit Kalimtar të Magjistratit llogariten 198 milionë lekë, për veprimtarinë e Apelimit të Rivlerësimit Kalimtar, 137 milionë lekë, ndërsa për veprimtarinë e Komisionerit Publik, 74 milionë lekë.

Për veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, fondi në p/buxhet llogaritet 164 milionë lekë , ndërsa për Këshillin e Lartë Gjyqësor, fondi në dispozicion llogaritet 3.4 miliardë lekë.

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri i është nënshtruar një sërë reformash të thella, në funksion të përmbushjes së standardeve europiane në këtë sistem. Përmes miratimit të disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin nr. 8417/1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar, Shqipëria filloi zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Synimet e Reformës në Drejtësi në periudhën afatgjatë janë të forcojë llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të luftojë korrupsionin brenda sistemit të drejtësisë, të demonstrojë progres të mëtejshëm me synim krijimin e precedentëve solidë të hetimeve, ndjekjes penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, si dhe të përmirësojë mekanizmat institucionale për të nxitur përpjekjet për ta sjellë legjislacionin ekzistues për drejtësinë për të mitur në përputhje me standarde ndërkombëtare.

/a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.