Projektbuxheti/ Bushati: Rindërtimi do të injektojë para në treg, punësim dhe investime

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati u shpreh se vitin tjetër presim të kemi një rritje të ekonomisë 5.6%, falë masave që ka marrë qeveria përmes investimeve dhe duke ndihmuar qytetarët si në nivelin familjar, ashtu dhe në dimensionin e biznesit me lehtësi të ndryshme.

Gjatë një interviste televizive, Bushati theksoi se “duke hequr tatimfitimin për bizneset e vogla, 91% e bizneseve sot në Shqipëri janë pothuajse pa tatime. Shumica janë përjashtuar nga skema e TVSH-së dhe kjo është një ndihmë e madhe reale për të gjithë ato biznese, që në vitin më të vështirë për shkak të kovidit, i jepet frymëmarrje për të dalë nga kriza dhe për të siguruar ecurinë e bizneseve”.

Gjithashtu u shpreh Bushati, “ka nisur një projekt shumë i madh i Rindërtimit në Shqipëri, ku plani i ndërtimit dhe investimeve në infrastrukturë, do të jenë në pikën e vet më lartë, rekord të ndonjë pr.buxheti në historinë pas demokracisë që arrin në 7.2% të PBB me qëllim për t’i qëndruar pranë qytetarëve shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit”.

“Mijëra banesa do të ndërtohen dhe do të hyjnë në qarkullim edhe fondet nga KE që arrijnë në 10% të PBB, për të futur sa më parë qytetarët në shtëpitë e reja. Ndërkohë që qytetarët shtëpitë e të cilëve u dëmtuan në tërmetin e shtatorit, kanë hyrë në shtëpitë e reja. Për një pjesë tjetër qytetarësh qeveria vijon shpërndarjen e bonusit të qirasë derisa të ndërtohen shtëpitë e reja, të cilat do të jenë me parametra të standardeve më të mira. Ky proces do të jetë një motor i zhvillimit ekonomik, sepse do të injektojë para në treg, punësim dhe investime”, – tha ai.

Lidhur me rikthimin e Kodit Zgjedhor, Bushati theksoi se “është bindja jonë ashtu siç ka qenë që në pikënisjen e të gjitha ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, që duhet të ecim përpara me një dakordësi dhe nga opozita për të gjitha ndryshimet që janë bërë”.

“Është për t’u përshëndetur momenti që ne kemi arritur të bëjmë bashkë shumë fraksione apo dimensione të opozitës për të miratur një kod të tillë. Janë bërë ndryshimet Kushtetuese që janë përshëndetur nga SHBA e BE. Mund të kemi rregullime dhe gjatë rrugës, po mendoj se thelbi është shumë në rregull dhe do të kalojë për miratim në Kuvend”, – theksoi Bushati.

Sipas tij, opinioni i Venecias është orientues dhe shumë mirë që është, megjithatë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR janë në atë kod, ndaj duhet të vazhdohet me miratimin.

“Nëse do të ketë diskutime apo propozime të tjera mund të merren parasysh. Ne patjetër duam që të bëhet më e mira. PS është mazhorancë me diferencë të madhe. Ne nuk kemi probleme për të pasur një Kod sa më fleksibël dhe në ndihmë të atyre që punojnë, por jo për të bërë qoka dhe për të mbajtur partiza parazitare në kurriz të qytetarëve”, u shpreh ai.

“Ka kohë që presidenti është opozitar i këtij vendi, kështu që duke dalë përtej kostumit të Presidencës, më vjen keq që do të mbahet mend për të tillë, por kjo nuk do të thotë që ne të mos vazhdojmë të çojmë përpara të gjithë nismat, reformat, ligjet që janë votuar nga  shqiptarët”, vijoi Bushati.

Ai e cilësoi një punë shumë impenjative postin e kryetarit të PS për Tiranën, që është më e madhja në vend me 27 njësi administrative ku banon 1/3 e popullatës dhe dalin 36 mandate.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët e Tiranës për t’i pyetur se si mund të bëjmë punët më mirë. U jemi gjendur qytetarëve në kohë të vështira, ashtu dhe me investime duke sjellë ndryshme të mëdha që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. Ka qenë një vit i vështirë, ndaj përpiqemi të jemi pranë njerëzve për të marrë mendimin e tyre për t’iu gjendur pranë dhe ndihmuar”, – tha ai.

Lidhur me planin me 5 pika të PD Bushati tha se shumica e këtyre pikave janë të ezauruara nga qeveria, por, siç tha ai, “nuk e di sa e di zoti Basha këtë”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.