Projektbuxheti 2021 synon Rimëkëmbjen/ Denaj: Rritja ekonomike 5.5%, mbështetje Shëndetësisë, Arsimit, Bujqësisë e Infrastrukturës

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave projektbuxhetin e shtetit për vitin 2021.

Gjatë prezantimit, ministrja Denaj vlerësoi se ekzistojnë premisat e duhura për një rikuperim të rritjes ekonomike, që prej vitit të ardhshëm.

“Gjithashtu duke marrë në konsideratë që fondamentet kryesore të ekonomisë nuk do të pësojnë ndonjë goditje problematike, presim që rritja për 2021 të rikthehet në nivelin e rreth +5.5% dhe më pas të konvergojë dhe stabilizohet afër nivelit + 4% (nivel i cili ne vlerësojmë është dhe rritja potenciale e ekonomisë sonë për periudhën afatmesme në vijim). Rritja ekonomike përgjatë periudhës 2021-2023 pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet”, u shpreh ministrja.

Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë 479 miliardë lekë, ose 10.6% më shumë se i pritshmi i vitit 2020. Shpenzimet Buxhetore për vitin e ardhshëm janë programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, me rritje në terma nominalë me rreth 8 miliardë lekë krahasuar me Aktin Normativ për rishikimin e Buxhetit të vitit 2020.

“Buxheti 2021 do të vijojnë të mbështesë sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat të marra së bashku garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit në periudhën 2021-2023 e përtej duke gjeneruar njëkohësisht punësim të qëndrueshëm”, deklaroi Denaj.

Subvencionet, tha ministrja, janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke pësuar një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë. ”Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare. Këtë vit rritja e subvencionit i dedikohet e gjitha programeve të nxitjes së punësimit, politikë e nisur në fund të vitit 2020”, tha ajo.

Sipas Denajt, niveli i fondit rezervë për vitin 2021, planifikohet në masën 4 miliardë lekë, përkatësisht 2 miliardë lekë do të jenë fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, 1 miliardë lekë fond kontigjence për mbështetjen e procesit zgjedhor dhe 1 miliardë lekë fond rezervë për studime dhe projektime për projektet e investimeve publike strategjike që lidhen me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të planifikuar nga BE për Ballkanin Perëndimor.

Ministrja foli edhe për ekspozimin e buxhetit ndaj pagesave të PPP active.
“Për vitin 2021 ky ekspozim do të jetë dukshëm brenda limitit ligjor prej 5% të totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës, duke mbajtur një trend të lehtë rritës nga 3.3% të regjistruar në 2019, në 3.7% në vitin 2021. Vlen të theksohet se ky raport parashikohet në ulje përgjatë 2022 (3.5%) dhe 2023 (3.2%) duke shtuar më tej nivelin e sigurisë për respektimin e këtij rregulli të rëndësishëm fiskal”, deklaroi Denaj./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.