Ndërgjegjësimi i qytetarëve për respektimin e masave antiCOVID/ Balla shpërndan maska falas për qytetarët e Librazhdit


TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Në vijim të ndërgjegjësimit qytetar për mbajtjen e maskës në ambientet e hapura, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, bashkë me një grup të rinjsh shpërndanë maska falas për qytetarët e Librazhdit.

Nisur nga rritja e rasteve me koronavirus, Balla vizitoi zonat më të populluara të qytetit të Librazhdit për të parë nga afër respektimin e masave antiCOVID-19, të cilat shërbejnë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

I shoqëruar nga kryetari i bashkisë, Kastriot Gurra, dhe një grup të rinjsh, Balla shpërndau maska për qytetarët si dhe i bëri thirrje atyre që të respektojnë rregullat e distancimit social si dhe të mbajnë maska mbrojtëse për ruajtjen e shëndetit.

Sipas Ballës, jo vetëm ekipet e Taskforcës, por të gjithë mund të kontribojmë me këshillimet për mbajtjen e maskës kudo, për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e veprimeve individuale për të mirën e përbashkët.

“Isha në Librazhd dhe në zona të mbipopulluara sikurse janë tregjet, do të insistojmë në respektimin e plotë të masave antiCOVID, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Mos harroni maskë, distancë, higjienë”, tha Balla. /m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.