Ndarja nga jeta e Zëvendëspresidentit të Bundestagut/ Ruçi: Iku një politikan dhe ligjvënës i klasit të lartë

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër ngushëllimi President i Bundestagut Gjerman, Wolfgang Schäuble, për ndarjen nga jeta të zëvendëspresidentit të Bundestagut, Thomas Opperman.

“Me trishtim të thellë mora lajmin mbi ndarjen e papritur nga jeta të Zëvendëspresidentit të Bundestagut, Thomas Opperman. Të gjithë jemi të tronditur nga ky largim i hidhur. Në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe emrin tim personal më lejoni t’ju shpreh Juve, Bundestagut dhe familjes së të ndjerit ngushëllimet për këtë humbje të rëndë”, shprehet Ruçi.

“Thomas Opperman ishte një politikan dhe ligjvënës i klasit të lartë dhe shërbeu me përkushtim, pasion e intelekt. Gjermania humbi një legjislator të rrallë dhe Bundestagu një Zëvendëspresident të shquar, i cili u bëri një shërbim të jashtëzakonshëm Gjermanisë dhe Europës  në këto kohë të trazuara”, shprehet në letrën e ngushëllimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.