Lleshaj: Riatdhesimi i 4 fëmijëve lajm i mirë për të gjithë, finalizimi i fazës së dytë me kthimin e 20 të tjerëve

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e konsideroi riatdhesimin nga kampi Al Hawl në Siri të Floresha Rashës dhe fëmijëve të saj Amar, Emel dhe Hatixhe si dhe djalit të familjes Dumani, Endrit një lajm të mirë për të gjithë.

Në një intervistë televizive, duke folur nga Libani, Lleshaj theksoi se në ditët e ardhshme pritet të finalizohet faza e dytë të procesit të riatdhesimit edhe për fëmijët e tjerë. “Ne duam t’i heqim këta fëmijë nga duart e terrorit, t’i sjellim këta fëmijë në Shqipëri për të sjellë një mesazh të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë. Këta fëmijë dhe këto familje e kanë vendin në atdheun e tyre dhe kauza e tyre do të jetë Shqipëria”, u shpreh Lleshaj.

I pyetur se sa gra dhe fëmijë ndodhen në kampet siriane, Lleshaj u shpreh se “sipas burimeve tona të inteligjencës janë rreth 50”.

“Kësaj radhe kemi arritur të kontaktojmë fizikisht rreth 25 prej tyre dhe kemi arritur të marrim 5. Ekipi i Policisë së Shtetit që ka qenë në Al Hawl dhe në kampe të tjera në Siri, ka arritur të marrë kontakte fizike personalisht me familjet, fëmijët, me nënat e atyre që i kanë nënat dhe me autoritetet përgjegjëse të kurdëve”, theksoi Lleshaj.

Duke folur më tej për operacionin, ministri Lleshaj tha se bëhet fjalë për një operacion që nisi një vit më parë me shpëtimin e  Alvin Berishës”.

“Tashmë është hapi tjetër i radhës. Ka zgjatur shumë pasi ishte operacion mjaft i komplikuar, i cili ka përfshirë në vetvete disa shtete si Shqipëria, Libani, Siria dhe pjesa e Sirisë verilindore, zona e administruar nga kurdët, si dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë. Bëhet fjalë për një operacion të gjatë që u frenua për shkak të pandemisë, por sot u finalizua faza e dytë e tij. Janë përfshirë me qindra njerëz, policia shqiptare, autoritete dhe agjenci të vendeve që përmenda”, u shpreh Lleshaj.

“Fatmirësisht, sot mund të njoftojmë publikun se katër jetë njerëzore janë shpëtuar nga ai kamp i ferrit, që njihet si i tillë për shkak të kushteve të tmerrshme në të cilat kanë mbijetuar këta fëmijë dhe mamaja e tre fëmijëve”, – tha Leshaj.

Në lidhje me afatet kohore të fazës së dytë, Lleshaj sqaroi se është kryer një pjesë e punës.

“Që prej vizitës sime të fundit në Liban, ne kemi prej një muaji një ekip të Policisë së Shtetit që ka vepruar në terren në bashkëpunim me autoritetet e sigurisë së Libanit dhe me autoritetet e tjera të përfshira, ka vizituar kampet, ka marrë kontakte me familjet, ka kontaktuar fëmijët, ka marrë deklaratat e prindërve  për tërheqjen e tyre në Shqipëri. Pra, është përmbyllur një pjesë e madhe e punës shumë të ndërlikuar ligjore që duhet bërë në këtë rast”, – tha Lleshaj.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.