Kthimi i Kodit Zgjedhor/ Meta: Shmangia e një krize tjetër zgjedhore në Shqipëri

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se i ka dërguar 8 pyetje për opinion Komisionit të Venecias në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Në një konferencë për shtyp Meta publikoi pyetjet që i ka drejtuar Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Ju bëj me dije kërkesën e Presidentit të Republikës për një opinion urgjent mbi procesin e ndryshimit të njëanshëm dhe të përshpejtuar të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor drejtuar Komisionit të Venecias. Presidenti i Republikës, pas paraqitjes së një kërkesë zyrtare të opozitës së bashkuar dhe në funksion të shmangies së një krize tjetër zgjedhore në Shqipëri, për të kontribuuar në legjitimitetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor, me qëllim që të sigurohen standardet minimale ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, veçanërisht në një situatë ku sistemi i kontrollit dhe balancës është totalisht jofunksional, i prirur drejt autoritarizmit, iu drejtua Komisionit të Venecias me një kërkesë për të dhënë në kushte urgjente një opinion për pyetjet e mëposhtme”, tha ai.

“A mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore veçanërisht rregullat në lidhje me transformimin e votave në mandate midis konkurrentëve, pasi të ketë filluar procesi zgjedhor dhe vetëm 6 muaj para datës së zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhor mjaftueshëm kohë përpara zgjedhjeve, për vetë cilësinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve?”, tha Meta.

“Nëse rregullat, veçanërisht ato që kanë të bëjnë në transformimin e votave në mandate, midis konkurrentëve, ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër datës së zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojnë avantazh për partinë që ka paraqitur ndryshimet, a dëmtojnë ose ndikojnë këto ndryshime parimet e qëndrueshmërisë së ligjit, sigurisë juridike dhe rregullave të barabarta të lojës, pra konkurrimit, të cilat janë kyçe për të përmbushur angazhimet e OSBE-së për zgjedhje demokratike? A e kompromentojnë këto ndryshime procesin zgjedhor? A e komprometojnë ato gjithashtu stabilitetin politik nëse bëhen në kundërshtim me konsensusin e 24 janarit dhe 5 qershorit të arritur nga shumica e partive politike?”, theksoi Meta.

“A shkelet përfundimisht parimi i garancive proceduriale nëse ndryshime të tilla në ligjin zgjedhor dhe të miratuara njëanshmërisht dhe me nxitim bëhen në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale, e cila mund të kontrollojë pajtueshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut?”, u shpreh ai.

“Ndërsa ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor të 30 korrikut dhe 5 tetorit nuk ishin pjesë e rekomandimeve të hershme të OSBE/ODIHR-it për Shqipërinë, a është procedura urgjente një motiv i ligjshëm për të justifikuar ndryshimet e njëanshme nga një parlament i kontestuar që nuk ka kuoruimin Kushtetues prej 140 deputetësh? A kishte ndonjë nevojë shtrënguese për t’i modifikuar në mënyrë të njëanshme? A është dispozita e futur rishtaz në Kodin Zgjedhor, për të drejtën e kryetarit të një partie politike për të kandiduar në 4 qarqe zgjedhore në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe veçanërisht me parimin e mosdiskriminimit midis kandidatëve dhe votuesve?”, shtoi Meta.

“A e pengojnë rregullat aktuale në fuqi për mbledhjen e votave dhe shndërrimin e tyre në mandate midis konkurrentëve, veçanërisht ato në lidhje me koalicionet zgjedhore dhe formulën përkatëse për ndarjen e mandateve, futjen e listave të hapura për përzgjedhjen e kandidatëve nga votuesit?, tha Meta.

“Në rast se legjislacioni miraton listat e hapura, ndërsa mekanizmi ekzistues i koalicioneve zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandateve për koalicionet mbeten ashtu siç janë aktualisht në fuqi, a do të ishte legjislacioni përkatës shqiptar në përputhje me angazhimet e OSBE-së?”, u shpreh Meta.

“A i dëmton të drejtat e partive politike dhe elektoratit të tyre imponimi i njëanshëm i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në lidhje me koalicionet parazgjedhore për të kandiduar me një listë unike?”, theksoi Meta.

“Duke patur në konsideratë situatën, cila do të ishte një zgjidhje e pranueshme për të siguruar një proces në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet europiane për zgjedhje demokratike dhe të dakordësuar nga të gjithë aktorët kryesorë politikë dhe subjektet zgjedhore, në mënyrë që të shmanget një krizë tjetër zgjedhore dhe politike”, tha Meta. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.