Kryhet me sukses ndërhyrja e rrallë në ezofag në Klinikën I të Kirurgjisë

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu informoi sot se “një ndërhyrje e rrallë në ezofag, nga ato operacione të shkallës së lartë të vështirësisë që kryhen në vendet më të zhvilluara është realizuar me sukses në Klinikën I të Kirurgjisë”.

“Ekipi i kirurgëve tanë të talentuar, dr. shk. Henri Kolani, dr. Frenki Vila, dr. Manser Çili, dr. Enio Boçi, dr. Klidit Dodi, dr. Bilibil Rakipi, dr. Nertila Kodra realizuan me sukses procedurën ‘hiroshi akiyama’, e cila zgjati plot 6 orë e 10 minuta”, tha Manastirliu.

Ministrja theksoi se “ia kemi dalë të ndërtojmë spitalin modern të kirurgjisë në QSUT, duke u siguruar pacientëve trajtimin që meritojnë dhe stafeve mjekësore, kushtet e duhura për të ofruar shërbim cilësor”.

“Frytet e këtij investimi që ka revolucionarizuar shërbimin e kirurgjisë në vend po shihen çdo ditë. Krenare për mjekët”, tha Manastirliu. /m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.