GJENEVË – OBT autorizon sanksionet doganore europiane kundër SHBA-së

GJENEVË, 26 tetor /ATSH-AFP/ – Anëtarët e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) i dhanë sot autorizimin e tyre Bashkimit Europian për të vendosur sanksione doganore kundër Uashingtonit, në shenjë hakmarrje për ndihmën e dhënë Boeing-ut, sipas një burimi pranë organit tregtar.

“Anëtarët e OBT-së kanë miratuar kërkesën e BE-së për vendosjen e masave hakmarrëse kundër SHBA-së, në kontekstin e dosjes së ndihmës ndaj “Boeing”-ut”, tha ai.

“Preferenca jonë është për një zgjidhje të negociuar me SHBA-në. Për këtë qëllim, po vazhdojmë të punojmë ngushtë me homologët tanë amerikanë dhe unë jam në kontakt të rregullt me ​​Përfaqësuesin amerikan të Tregtisë, Robert E. Lighthizer”,  komentoi zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis.

“Në mungesë të një rezultati të negociuar, BE-ja do të jetë gati të marrë masa në përputhje me vendimin e OBT-së”, shtoi ai në një deklaratë.

Me synimin e sanksioneve, Europa tashmë ka hartuar një listë të gjatë të produkteve që mund të tatohen, nga avionët e prodhuar në SHBA, traktorët, te patatet e ëmbla, kikirikët, duhani, etj./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.