FOTO/ “Shkollat e shekullit 21”, projekt ambicioz që përgatit të rinjtë drejt tregut të punës

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi dhe ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman panë nga afër projektet e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” në Elbasan, që synojnë të kursejnë energji në mjediset e shkollës dhe të sensibilizojnë çdo individ për të gjetur mënyra alternative për ta ruajtur atë.

Projektet janë pjesë e programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili zbatohet nga British Council dhe synon zhvillimin e aftësive të mendimit kritik dhe aftësive praktike të programimit.

Ministrja Kushi shprehu mirënjohjen ndaj British Council për këtë projekt ambicioz në shkollat tona. Jam e bindur, tha ajo, se nxënësit tanë, falë këtyre aftësive të reja, nesër do të jenë më konkurrentë dhe do të përshtaten më mirë në tregun e punës.

Ndërsa ambasadori Norman theksoi se “ne jemi duke punuar për të krijuar një mjedis arsimor më tërheqës për fëmijët, i cili zhvillon aftësitë e tyre të të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve”.

“Po punojmë së bashku sepse këto janë aftësitë që duhet të kenë si fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar ashtu dhe në Shqipëri”, tha ai.

Nxënësit e shkollës Qamil Guranjaku, pjesëmarrës të Programit “Shkollat e Shekullit 21” kanë përdorur inovacione teknologjike si Mikro-bit, për të dhënë sinjale dhe mesazhe mbi mirë përdorimin e energjisë elektrike në shkollë.

Qëllimi i projektit të tyre është të kursejë energji elektrike në mjediset e shkollës përmes ndryshimeve në sjelljen e zakonshme dhe rutinën e secilit individ brenda institucionit duke përdorur teknologji të thjeshta inteligjente dhe me kosto të ulët për menaxhimin e energjisë elektrike.

Shkolla Qamil Guranjaku është një nga 800 shkollat në Shqipëri, të përfshira në Programin “Shkollat e Shekullit 21”. Që prej fillimit, 3000 mësues janë trajnuar për mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodimin. Deri më tani, 16,800 Mikro-bit janë shpërndarë nga 24,000 që do të shpërndahen deri në fund të programit.

Gjithashtu programi ka trajnuar 110 drejtues shkollash dhe 480 mësues në shtator 2020, duke ofruar trajnime në grupe të vogla dhe nën masa të rrepta higjiene për të garantuar distancën sociale.

Pas Sfidës së parë të Kodimit në janar 2020, konkursi i dytë do të organizohet online në nëntor 2020, për shkak të situatës me COVID-19. 180 shkolla kanë aplikuar online gjatë thirrjes së 2-të të kodimit dhe 10 projektet më të mira janë zgjedhur për të konkurruar në eventin e Nëntorit.

Programi “Shkollat e Shekullit 21” është një program arsimi trevjeçar, i zbatuar nga British Council dhe ka për qëllim të zhvillojë aftësitë kryesore të shekullit 21 të mbi 1 milion nxënësve të moshës 10-15 vjeç në vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi) dhe do të përfshijë të gjitha shkollat e arsimit bazë në Ballkanin Perëndimor.

“Shkollat e Shekullit 21” është një program që ofron mentorim të vazhdueshëm dhe burime të vlefshme për ngritjen e kapaciteteve të drejtorëve dhe mësuesve të shkollave, si dhe të politikëbërësve.

/m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.