FOTO/ Një grup të rinjsh me aftësi të veçanta vizitojnë stadiumin “Air Albania”

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Kjo fundjavë ka qenë ndryshe për stadiumin kombëtar “Air Albania”. Një grup të rinjsh me aftësi të veçanta kanë vizituar dhe kanë kaluar disa orë në ambientet e këtij stadiumi. Për shumë prej tyre ishte hera e parë që hynin në stadium dhe kjo ishte një mundësi e mirë për të promovuar sportin për këtë komunitet.

Vizita u organizua përmes bashkëpunimit dhe kujdesit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Fondacionit DSA (Down Syndrome Albania). Qëllimi i aktiviteteve të tilla është që fëmijët të jenë sa më të pavarur në jetën e tyre të përditshme dhe të kenë sa më shumë qasje ndaj sportit.

FSHF ka qenë vazhdimisht e angazhuar në mbështetjen e iniciativave sociale përmes bashkëpunimit me shoqata të ndryshme. Edhe në të kaluarën drejtues të Federatës apo edhe futbollistë të Kombëtares kanë marrë pjesë në shumë iniciativa sociale, ku në fokus kanë qenë të rinjtë me aftësi të veçanta.

Një bashkëpunim i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen me synimin për të ndërgjegjësuar, informuar si edhe promovuar të drejtat e nevojat e të rinjve me aftësi ndryshe, që të kenë një jetë të shëndetshme, të pavarur dhe pranë sportit. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.