Forumi i nivelit më të lartë Ballkanik kundër Antisemitizmit/ Balla: Kuvendi, thirrje për një front të bashkuar në Ballkan kundër urrejtjes

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë me iniciativën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla organizon Forumin e nivelit më të Lartë Ballkanik kundër Antisemitizmit.
Përmes një videomesazhi Balla shprehet se, “në të do të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore nga SHBA, Parlamenti Europian dhe vende të tjera të rajonit”.
“Kuvendi i Shqipërisë bën thirrje për një front të bashkuar në Ballkan kundër urrejtjes dhe fanatizmit etnik dhe fetar, duke ju referuar vlerës së patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare. Nëpërmjet miratimit të rezolutës Kuvendi pranon dhe promovon përkufizimin e aleancës ndërkombëtare të përkujtimit të holokaustit për antisemitizmin”, shprehet Balla.
Balla thekson se, “kjo konferencë do të realizohet në bashkëpunim me Robert Singer, i cili është kryetari i Lëvizjes për Luftën Kundër Antisemitizmit në Izrael”.
Në dy sesionet e konferencës do të diskutohet mbi modelin unik shqiptar të bashkëjetesës fetare dhe eksperiencave më të mira për luftën ndaj antisemitizmit.
“Modeli pozitiv i Shqipërisë ku individë me prejardhje, besime dhe raca të ndryshme kanë gjetur gjithmonë një shtëpi të sigurtë edhe në periudha të egra të regjimeve diktatoriale është një inspirim për shumë popuj.
Kjo ishte e dukshme gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria hapi kufijtë e saj dhe siguroi azil për refugjatët hebrenj që po largoheshin nga genocidi. Deri më sot populli shqiptar krenohet me këtë akt të drejtësisë dhe gjithmonë i ka çmuar marrëdhëniet e tij me popullin hebre, SHBA dhe shtetin e Izraelit”, theksoi Balla. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.