Elbasan/ Rehabilitohet rruga në fshatin Shushicë, iu shërben 1500 banorëve

 

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Punët publike në bashkinë e Elbasanit vijojnë me ritme të shpejta në qytet e fshat, për të mos ndërprerë në asnjë moment shërbimin ndaj qytetarit.

Aktualisht këshilli i qarkut të Elbasanit në bashkëpunim me bashkinë janë duke investuar në sistemimin e një rruge në fshatin Shushicë.

Rruga rreth 1 km e gjatë i shërben 1500 banorëve të lagjes së sipërme të Shushicës, por lidh edhe varrezat e fshatit.

Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit Taulant Balla së bashku me kryetarin e bashkisë Gledian Llatja dhe me Prefektin Klevis Xhoxhi inspektuan ecurinë e punimeve.

“Është një hap shumë i rëndësishëm spostimi i investimeve publike në njësitë administrative. Ky investim ka qenë shumë i kërkuar nga banorët, kjo edhe për faktin se lidh varrezat e fshatit. Investimet e bashkisë së Elbasanit me mbështetjen edhe të Qeverisë po vijojnë. Po ashtu i domosdoshëm është edhe investimi për rrugën e varrezave në Elbasan që lehtëson trafikun dhe besoj shumë shpejt do të nisë puna. Elbasani është i gjithi në punë, sepse në fund të fundit ne për këtë jemi zgjedhur për të punuar dhe për të mbajtur fjalën e dhënë”, – tha Balla.

Nga ana tjetër Llatja shtoi se punët vijojnë paralelisht në disa njësi administrative, aty ku nevojat janë më të mëdha.

“Është një investim i shumëkërkuar nga banorët e fshatit Shushicë. Sapo kemi përfunduar edhe rrugën e varrezave në fshatrat Shirgjan e Gjergjan. Shumë shpejt do të nisim dhe investimin e qeverisë për rrugën e varrezave të Elbasanit, një pjesë e ndjeshme që lehtëson trafikun në qytet”, – theksoi kryetari i bashkisë.

Investimi është ndarë në dy faza. Në fazën e parë po kryhet sistemimi i rrugës, ndërtimi i veprave të artit dhe rrethimi i varrezave dhe në fazën e dytë do të nisë asfaltimi i këtij aksi.

Bashkia e Elbasanit tashmë ka nisur edhe procesin e Buxhetimit me Pjesëmarrje, ku administrata do të zhvillojë takime me banorët në çdo njësi administrative për të përcaktuar përparësitë në investime për vitin e ardhshëm buxhetor./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.