COVID 3/ Çomo: Po përdorim edhe remdesivirin, ofrojmë të gjithë terapitë e nevojshme

TIRANË, 26 tetor /ATSH – I. Vata/ Shefja e Shërbimit Infektiv prof. Najada Çomo, tha sot se struktura e re e COVID 3 është gati si në pajisjen me aparatura, ashtu edhe me një staf mjekësor dhe infemieror të trajnuar.

“Në strukturën e re të COVID 3 sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe qeverisë është përfunduar si strukturë, praktikisht është instaluar oksigjeni në çdo shtrat që është aq i rëndësishëm për pacientët me COVID dhe natyrisht është bërë edhe pajisja me respiratorë për pacientët që kanë nevojë në terapi intensive, apo në pjesën subintensive. Pjesa tjetër që kemi përgatitur është trajnimi prej disa muajsh i burimeve njerëzore, qoftë i mjekëve specialistë, qoftë dhe i personelit infermieror që kanë mbi 5 muaj që trajnohen pranë shërbimit infektiv. Personeli infemieror është rekrutuar nëpërmjet portalit, dhe një pjesë tjetër vullnetare”, shprehet Çomo.

Teksa ka theksuar se aktualisht vijon të ketë ende kapacitete të lira në Spitalin Infektiv për trajtimin e pacientëve me COVID-19, Çomo deklaroi se pacientët në Shqipëri trajtohen sipas protokolleve mjekësore të njëjta si kudo në botë dhe ofrohet falas.

“Ne kemi gjithçka që thuhet në botë, të gjitha protokollet e nevojshme. Së fundmi edhe me remdisivirin. Çfarë është shkruar në protokollet e botës e kemi edhe ne. Pacientët janë duke e marrë, duke e ofruar falas 100%, sikurse janë ofruar të gjitha barnat e tjera që janë shkruar në protokollet e botës. Të gjitha barnat ne i përdorim atëherë kur duhet”, tha prof. Çomo. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.