Brenda nëntorit përfundon ndërtimi i shtëpive individuale në Maminas/ Ahmetaj dorëzon çelësat 2 familjeve

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Në Shijak dhe Maminas, Gjyle Domi dhe Serme Xhixha morën sot çelësat e shtëpive të tyre të reja, të rindërtuara nga e para, shumë më të mira e të sigurta se ato që humbën nëntorin e kaluar.

Në të gjithë njësinë Maminas vijon intensivisht puna për rindërtimin e 130 banesave të dëmtuara, ndërsa në bashkinë Shijak 567 banesa kanë hyrë tashmë në fazë të avancuar të ndërtimit, e brenda 31 dhjetorit, mbi 400 prej tyre do të hapin dyert për familjet për të mirëpritur Vitin e Ri

“Nga 567 shtëpi që po ndërtohen në Shijak, minimalisht 400 familje të jenë në shtëpinë e re breda 31 dhjetorit”, deklaroi ministri Ahmetaj, i cili ishte sot në Maminas, ku i dorëzoi çelësat e shtëpive të reja dy familjeve, përfituese nga programi i Rindërtimit.

“Po bëjmë të pamundurën duke punuar jashtë orareve që të kapim afatet të cilat u kemi premtuar familjarëve”, tha kreu i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana.

Arbana tha se në njësinë Maminas brenda muajit nëntor do të bëhet e mundur dorëzimi i të gjitha banesave./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.