4 fëmijë dhe një grua kthehen nesër në Shqipëri nga kampi në Siri/ Rama nga Libani: Ky operacion i hap rrugën fazës tjetër

 

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Liban ku ka nisur operacioni humanitar për riatdhesimin e fëmijëve shqiptarë nga kampi Al Hawl në Siri, deklaroi se nesër në Tiranë do të kthehen katër fëmijë dhe një grua.

Nga kampi Al Hawl në Siri do të sillen nesër në Shqipëri Floresha Rasha dhe fëmijët e saj Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha si dhe djali i familjes Dumani, Endri Dumani.

“Deri në momentin e fundit kemi qenë me zemër të ngrirë, sepse ka pasur dy-tre momente të vështira për skuadrën që ka marrë pjesë në operacion. Por jam i kënaqur që nesër paradite do të kthehemi në Tiranë”, – u shpreh Rama.

“Kemi ngritur gjithë rrjetin e nevojshëm për t’i trajtuar me maksimumin e kujdesit fëmijët. E ëma e fëmijëve të vegjël është në gjendje të vështirë shëndetësore, ka një plagë në trup, por edhe ajo do të vijë me ne”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ky operacion i hap rrugë fazës tjetër. Të gjithë fëmijët që janë identifikuar në kamp, u janë marrë të gjitha të dhënat e nevojshme dhe presim sinjalin e fundit, që është më i vështirë, për t’u kthyer e marrë fëmijët e tjerë”.

“Më vjen shumë mirë që ne nuk kemi ndenjur duarkryq, nuk kemi qenë në gjumë. Kemi punuar intensivisht në mënyrë të vazhdueshme, prej më shumë se një viti dhe vazhdojmë punën”, tha Rama, në lidhje edhe me fazën e dytë të operacionit.

“Kemi bërë një hap shumë të madh përpara. Se kur mund ta realizojmë nuk mund të flas, mund të jetë shumë shpejt, mund të jetë pak më vonë, është e kotë të vendosim afate. Edhe për këta fëmijë deri në momentin e fundit kemi qenë me zemër të ngrirë, sepse ka pasur dy-tre momente të vështira për skuadrën që ka marrë pjesë në operacion”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë  u shpreh se “nga të gjithë këta që janë të pranishëm këtu, unë jam i fundit që kam ndonjë meritë, sepse merita kryesore nuk diskutohet që i takon djemve që janë këtu me ne sot, që kanë qenë këtu prej disa kohësh dhe konsullit tonë, Markut, i cili është vënë në dispozicion të këtij operacioni me gjithçka, sikur t’i kishte fëmijët e tij”.

“Jam i lehtësuar, sepse ky ishte një operacion i komplikuar dhe më vjen mirë që ia dolëm. Kam kontaktuar dhe me drejtuesit e operacionit dhe gjeneralin që kanë shumë merita në këtë proces. Falënderoj dhe drejtorin e Antiterrorit, që për 30 ditë ka bërë përpjekje të vazhdueshme, po ashtu edhe konsullin këtu për lidhjet që janë jo aq të lehta, sepse në këtë proces ishin shumë faktorë”, – tha Rama.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me këta fëmijë, pasi të mbërrijnë në Shqipëri, Rama tha se ata do të jenë të parët në strukturën e organizuar për të gjithë fëmijët. “Këta janë të parët që do të vijnë në atë strukturë me psikologë, mjekë, për të bërë të gjithë analizat e nevojshme”, – u shpreh Kryeministri.

Në Liban bashkë me Kryeministrin Rama ndodhet edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe kreu i Drejtorisë së Antiterrorit, Gledis Nano.

Ministri Lleshaj u shpreh se ndjehej i lumtur “kur shikoj këta fëmijë të çliruar nga ferri”.

“Sot ne jemi në rolin e prindërve të tyre këtu, sepse prindi e ka për detyrë të kujdeset për fëmijët. Prindërit e tyre se kanë bërë këtë, po e bën shteti shqiptar. Jam falënderues për të gjithë ata që morën pjesë në këtë operacion”, – u shpreh Lleshaj.

Ndërsa kreu i Antiterrorit, Gledis Nano tha se “ajo që u krye deri tani dhe ato që do bëhen, kanë çështjen e sigurisë parësore”.

“Kjo na bëri të ndërmerrnin hapa shumë të kujdesshme. Them se ia kemi arritur sot. Ato çfarë kemi parë në Al Hawl do doja të transmetoheshin që shqiptarët të shikojnë kushtet atje, se çfarë bëhet. Atje është kampi i Ferrit dhe jo Al Hawl. Jam falënderues dhe për familjet që madje s’e kanë ditur fare që kemi udhëtuar drejt Sirisë”, – u shpreh Nano.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.