“2021, një vit jo i lehtë buxhetor”/ Ekonomi: Do rikuperojmë përmes rritjes së konsumit dhe investimeve publike

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi u shpreh se 2021 nuk do të jetë një vit i lehtë buxhetor pasi vjen nga një recesion i thellë i vitit 2020 i cili nuk ishte një vit i vështirë vetëm për Shqipërinë, por për Europën dhe gjithë botën.

“Po të shikojnë edhe në eurozonë, janë përdorur litarët e shpëtimit duke lejuar rritjen e borxhit të brendshëm, për të mundësuar ndihmë për familjet dhe bizneset gjatë pandemisë. Edhe Shqipëria këtë model ndoqi duke ofruar paketat e ndihmës për qytetarët dhe biznesin krahas dy garancive sovrane që i dha ndihmë bizneseve për likuiditet financiar”, – tha Ekonomi.

Buxheti 2021 do të ketë parasysh rikuperimin e ekonomisë në një trend rritje përmes rritjes së konsumit dhe investimeve publike.

Sipas saj “qeveria ka marrë masa konkrete duke rritur pagesat, duke çliruar disa taksa për biznesin e vogël dhe shtuar investimet publike që i sjellin Shqipërisë zhvillim. Ndërkohë që ka nisur programi i madh i Rindërtimit”.

Ekonomi tha se, “rritja e investimeve do të sjellë zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, përshpejtimin e aktiviteteve ekonomike në zona të caktuar të vendit në një periudhë afatmesëm, ndërkohë që do të jetë në fokus menaxhimi i riskut fiskal sipas standardeve ndërkombëtare”.

Ajo u shpreh se edhe kontratat koncesionare janë një lloj investimi në ekonomi. “Ligjet e përmirësuara në lidhje me kontratat koncesionare (PPP) përcaktojnë që këto kontrata nuk mund të kalojnë 5% të të ardhurave të grumbulluara nga viti paraardhës dhe vitin e kaluar ky tregues shënoi 1,7%. Për vitin 2021 parashikohet që pagesa për koncesionet nuk do t’i kalojnë 3.5% të të ardhurave të grumbulluara në buxhet”, shtoi Ekonomi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.