Vdekja e 53-vjeçarit/ Ministria e Shëndetësisë, grup pune për verifikimin e procedurave në strukturat spitalore

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur një grup pune për të verifikuar procedurat e ndjekura në strukturat spitalore për pacientin me inicialet L.Ç, 53 vjeç i cili humbi jetë në 23 tetor 2020.

Duke i shprehur ngushëllimet familjarëve, Ministria e Shëndetësisë siguron se do të kryhet hetimi i plotë administrativ për ngjarjen.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron qytetarët se shërbimi mjekësor është në gatishmëri për të ofruar jo vetëm urgjencat 24/7, por të gjitha shërbimet e nevojshme për qytetarët në të gjitha  nivelet e kujdesit mjekësor.

Më herët Partia Demokratike përmes një deklarate për shtyp nga Orjola Pampuri tha se “lajmi tragjik i humbjes së jetës së një babai 53-vjeçar pas 3 ditëve sorollatje të kota nëpër dyert e spitaleve, është klithma e alarmit”.

“I pashpresë, i rropatur dhe i drobitur, Lutfiu i ndjerë përcolli dhimbjen dhe emergjencën e situatës disa ditë me radhë edhe në medie. Fatkeqësisht, zëri i tij i lodhur nga vuajtja ra në vesh të shurdhët. Ai nuk mundi të kurohej, duke lënë pas familjen e tij”, – tha Pampuri./k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.