Sulmi i Metës ndaj Alba Malltezit/ Rama: Tjetër zhytje e presidentit në bozën e vulgaritetit e antishtetit

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi sulmin ndaj Alba Malltezit, bashkëshortes së gazetarit Carlo Bollino një tjetër zhytje të presidentit të Republikës në bozën e vulgaritetit, brutalitetit, antishtetit.

Kreu i qeverisë shprehet se i vetmi faj i Alba Malltezit dhe Carlo Bollinos është se i shërbejnë publikut me kurajon e me profesionalizmin e tyre.

“Sulmi skandaloz i Ilir Metës mbi Alba Malltezin, bashkëshorten e Carlo Bollinos, është një tjetër zhytje e presidentit të republikës në bozën e vulgaritetit, brutalitetit,antishtetit! Çfarë dreqin do akoma nga Shqipëria ky njeri që ka marrë më shumë se kushdo në historinë e saj! I vetmi faj i Alba Malltezit dhe Carlo Bollinos është se i shërbejnë publikut me kurajon e me profesionalizmin e tyre dhe Ilir Meta është i fundit shqiptar në planet që mund t’i kërkojë hesap kujtdoqoftë, jo më Albës e Carlos, për si i sigurojnë të ardhurat e tyre!Çfarë katandie!”, – thekson Rama.

Pres disa ditësh, mediet kanë publikuar raste të dhënies së shtetësisë shqiptare nga presidenti Meta. Në disa artikuj thuhet se “skandali i Presidentit Ilir Meta me dhënien e 419 nënshtetësive shqiptare në shkelje flagrante të ligjit, procedurave dhe protokolleve të sigurisë, po merr përmasa të paparashikueshme”.

Një nga rastet është si i dhënies së nënshtetësisë shqiptare për futbollistin afrikan, Winnful Essua Joseph Cobbina, i cili, sipas “Shqiptarja.com”, ndërkohë që priste dënimin nga gjykata shqiptare si falsifikator i lejes së qëndrimit, është pajisur me nënshtetësi shqiptare nga Ilir Meta, me një procedurë të paprecedentë që ka zgjatur vetëm 8 orë dhe në emër të interesit kombëtar.

Një ditë më pare, zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi, duke e konsideruar shpifje lajmin se  KE ka shprehur shqetësim për shtetësitë e dhëna nga Presidenti Meta publikoi disa pyetje me aludime ndaj bashkëshortes së Bollinos.

Endri Fuga, këshilltari i kryeministrit Edi Rama ndërkohë duke sjellë një lajm të Top Channel u shpreh se “vetëm në Shqipëri ndodh që politikanët e korruptuar bëjnë pyetje provokuese e akuzojne gazetarët”.

Më herët, Fuga shkroi: “Kur Presidenti i Republikës sulmon familjen e një botuesi & gazetari pas disa shkrimeve kritike, atëherë është e qartë se investigimi qenka i vërtetë. Mund të flasësh sa të duash për lirinë e shtypit, por sulmet e ulëta si sot tregojnë sa e respekton në të vërtetë fjalën e lirë!”.

Pas kësaj, reagoi sërish zëdhënësi Blushi, duke e cilësuar fake news, sulmin e presidentit ndaj familjes së botuesit dhe të një gazetari. “Edhe nëse kjo ka ndodhur, këtë nuk e kemi bërë ne, por Sekretari për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat në Partinë Socialiste, z.Alfred Peza.Ne vetëm sa kujtuam pyetjet publike që ai ka adresuar në shkrimin e tij të datës 23 tetor 2018, të cilin po e rikthejmë për t’i freskuar memorien zëdhënësit të Kryeministrit ende në detyrë”, u shpreh Blushi.

Edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dënuar sulmin e paprecedentë të presidentit Meta i cili, sipas tij, ka nisur një fushatë kundër medias e cila zbuloi skandalin me dhënien e pasaportave në kundërshtim me ligjin.

“Çudira Presidenciale, mbron gjobë-mediat që ngrihen me trafikun e drogës dhe sulmon troç-mediat që hetojnë trafikun e pasaportave! Solidaritet me Albën, Carlon e këdo që refuzon bullizmin e një pakice të lodhur rrënojash morale në emër të shumicës së ndershme të vendit”, shprehet Veliaj.

Gjatë pasdites reagoi edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali e cila u shpreh se “Big Fish-i i Presidencës jep qindra pasaporta në shkelje të ligjit”.
“Nxjerr tallava-dekrete. Dërgon zuzarë matanë detit për të nxirë Shqipërinë. Sulmon, kërcënon, shantazhon gazetarë. Ta durojmë edhe pak big matrapazin. Derisa mikro partia t’i bëhet hi, por hiri kurrë më parti”, u shpreh Spiropali.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.