Shefja e Infektivit, Najada Çomo: Jemi në krye të detyrës, Infektivi ka vende për trajtimin e pacientëve me COVID-19

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Gjatë inspektimit të ministres së Shëndetësisë në Spitalin Infektiv, shefja e Shërbimit prof. Najada Çomo ka bërë me dije se në këtë spital ka ende kapacitete të lira dhe stafi mjekësor është në gatishmëri në 24/7 për t’iu ofruar shërbim pacientëve të prekur me COVID19.

“Ne jemi në krye të detyrës, sa i takon gjendjes në Spitalin Infektiv, natyrisht kemi një numër të shtuar të rasteve të personave të infektuar që evidentohet edhe në shtimin e numrit të pacientëve të shtruar në të dy spitalet COVID”, – tha Çomo.

Sipas saj, aktualisht spitali ka një kapacitet të shtuar në krahasim me vitet e tjera.

“Sot që flasim ne kemi një numër të caktuar shtretërish të pacientëve që kanë nevojë të marrin shërbim në kushte spitalore. Edhe me spitalin COVID2 janë aktualisht mbi 50 shtretër si kapacitete të lira”, tha Çomo.

Çomo deklaroi se situata është dinamike ndaj dhe kujdesi që qytetarët duhet të tregojnë për zbatimin e masave ndaj COVID-19 duhet të jetë edhe më i madh. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.