Rregullore e re për administrimin e riskut të shoqërive të fondeve

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi rregulloren për administrimin e riskut të shoqërisë administruese të fondeve.

Sipas AMF-së, kjo rregullore ka si qëllim përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e sistemit të administrimit të riskut për këto sipërmarrje.

Përpara miratimit, dokumenti iu nënshkrua konsultimit publik me grupet e interesit.

Rregullorja që zëvendëson dokumentin ekzistues, është hartuar në mbështetje të kërkesave ligjore dhe parashikimeve të lëna nga ekspertët e projektit të Bankës Botërore “Për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare: Fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”.

Ndryshimet që sjell rregullorja e re nga ajo ekzistuese, sipas AMF, kanë të bëjnë me detajimin më të mirë të elementëve përbërës të politikës së administrimit të riskut, detajimin e veprimeve për zbutjen e riskut operacional dhe atij të biznesit, përcaktimin e shpeshtësisë maksimale për kryerjen e auditit të brendshëm, si dhe limitin kohor të raportimit në Autoritet të shkeljeve të kufijve të investimit.

Vënia në zbatim e kësaj rregulloreje krijon kushtet për një administrim të mirë të riskut të shoqërive administruese të fondeve, me synim mbrojtjen e interesave të investitorëve, si dhe për të nxitur qëndrueshmërinë e sistemit financiar./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.