Ritme të larta dhe në një terren sfidues, për plot 8 vendburime të reja uji/ Krujë, brenda pak javësh furnizim 24 orë për mbi 17 mijë banorë

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2922590011176383

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Në qytetin e Krujës po punohet me ritme të larta për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit që do të furnizojë me ujë 17.500 banorë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga puna për ndërtimin e ujësjellësit, duke theksuar se “në 1630 metra lartësi po punohet me ritme të larta dhe në një terren sfidues, për plot 8 vendburime të reja uji për të përfunduar brenda pak javësh veprën e ujësjellësit të Krujës”.
“17.500 banorë të qytetit të Krujës janë përballur me akses të pamjaftueshëm në ujë të pijshëm. Mungesa e theksuar e burimeve ujore dhe pamundësia për akses nga burime të tjera kanë lënë për mbi 2 dekada krutanët me akses tejet të limituar në këtë element jetik për jetën”, – tha Rama.
Kryeministri shprehet se ky investim i qeverisë mbështet edhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit për Krujën, qyteti historik i Shqipërisë.

Ndërtimi i ujësjellësit të ri të Krujës do të sigurojë jo vetëm furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, por njëkohësisht do të eliminojë humbjet dhe ndotjet e ujit në rrjet. Projekti parashikon gjithashtu edhe mbulimin me ujë të pijshëm të zonës së Sarisalltikut.

Ky është një projekt jetik për qytetin e Krujës, i cili i jep zgjidhje përfundimtare problemit të furnizimit me ujë, një problem i trashëguar në mbi 30 vite. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.