Rikthimi me masa antiCovid/ Dapi shpjegon për ATSH-në sesi do të funksionojnë konviktet: Jo më shumë se 2 studentë në dhomë

 

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Universitetet do të hapin dyert për të pritur studentët nga 2 nëntori, ndërkohë që dhe për konviktet janë marrë masat me qëllim respektimin me rigorozitet të protokollit antiCOVID dhe sigurinë e shëndetit të studentëve.

Në kuadër të situatës së pandemisë, drejtoresha e Rezidencës Studentore Universitare Nr. 2, Zhanina Dapi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare së këto mjedise janë gati për të pritur studentët, duke përmbushur me përpikmëri protokollin e caktuar nga ministria e Shëndetësisë, ministria e Arsimit duke krijuar mundësi dhe komoditet për studentët.

Sipas saj, janë përcaktuar personat përkatës të cilët do të masin temperaturën e studentit në hyrje të godinës, sa herë që ata zgjedhin të hyjnë apo dalin nga rezidenca studentore.

“Pas rregulloreve që dolën nga ministria e Shëndetësisë dhe ministria e Arsimit, edhe ne si institucion filluam me marrjen e masave që kryesisht ishin të përgjithësuara. Mbajtja e maskës në ambientet e brendshme, tashmë e detyrueshme edhe për ambientet e jashtme, matja e temperaturës në hyrje të rezidencës e cila bëhet nëpërmjet një stafi të dedikuar që qëndron 24 orë në hyrje të godinës, për çdo student që hyn dhe del. Njëkohësisht, kemi planifikuar masat që ndërmerren të përmuajshme apo sa herë që ne konstatojmë që kemi nevojë të bëjmë një dezinfektim. Higjienizimi i ambientit bëhet nëpërmjet stafit të RSU2 dhe njëkohësisht nëpërmjet kompanive që janë të certifikuara për të bërë higjienizimin dhe dezinfektimin e ambienteve”, u shpreh Dapi.

“Kemi një staf shërbimi për pjesën e higjienizimit të përditshëm të godinave, stafi sanitar është në dispozicion të studentëve, për pjesën e paradites dhe pasdites’’, sqaroi Dapi.

“Gjëja e parë që bëmë ishte edhe kufizimi i qëndrimit të studentëve më shumë sesa kapaciteti i përcaktuar. Në dhomat që kanë kapacitet dy, nuk rrinë më shumë se dy studentë, gjë që ndodh edhe me dhomat me kapacitet 3 persona. Në Rezidencën tonë, në konviktet e inxhinierisë së ndërtimit kapaciteti në një godinë është diku tek 270 studentë për të gjithë katet. Kuptohet që formati i studentëve është 10 studentë më shumë apo 10 studentë më pak’’, u shpreh drejtoresha e Rezidencës Studentore Universitare Nr. 2, Zhanina Dapi për ATSH-në.

“Brenda ambienti është i formatuar me mini-apartamente ku mjedis i përbashkët është një tualet me dushe për dy dhoma. Në njërën dhomë akomodohen dy studentë, në dhomën tjetër akomodohen 3 studente. Në kat gjithashtu, studentët kanë një ambient të përbashkët të kuzhinës. Pjesa e lavanderisë është gjithashtu një ambient shërbimi që u ofrohet studentëve, kundrejt një pagese minimale të shërbimit që ato kryejnë. Pjesët e tjera që janë të përbashkëta për studentët janë sallat e studimit, terrenet sportive, ambientet e rezidencës së jashtme me gjelbërim ku të cilët studentët qëndrojnë veçanërisht gjatë periudhave të studimeve apo momenteve të provimeve që ata kanë’’, tha Dapi.

z.tosku/a.fortuzi/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.