Rehabilitimi i 27 pallateve në Shijak/ Po rilindin shumë më të sigurta e më të bukura se përpara tërmetit


TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e konsideroi mbresëlënëse punën për rehabilitimin e 27 pallateve në Shijak, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Gjatë inspektimeve të punimeve i shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, Kryeministri Rama tha se “pallatet kanë dalë në dritë. Në Shijak jo vetëm po riparohen dëmet e 26 nëntorit të shkuar shtëpi me shtëpi, shkallë më shkallë e mur më mur, por godinat po rilindin shumë më të sigurta e më të bukura se përpara goditjes”.

Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana tha se “pallatet kanë qenë totalisht të pasuvatuara. 85% e pallatit kanë mbaruar deri tani, kemi berë forcimin e pallatit në strukturë, në çdo hyrje të familjeve është ndërhyrë dhe bërë riparimi, është bërë fasada, unifikimi i fasadës, të gjithë depozitat që kanë qenë në taracë i kemi vendosur poshtë, kemi për të bërë meremtimin e shkallës dhe lyerjen e pallatit”.

“Në çdo pallat është bërë e mundur që bashkë me banorët të zgjidhen administratorë dhe grantet të shfrytëzohen në mënyrë kolektive. Shpresojmë që brenda gjysmës së nëntorit të gjitha punimet të kenë përfunduar”, – tha Arbana.

Sipas tij, kemi bërë ndërhyrje edhe në riveshje kolonash, në riaftësimin lidhës të suvasë.

“Po punojmë me ritme të shpejta që të kapim afatet dhe asnjë familje brenda dhjetorit të 2020 të mos ngelet pa u futur në shtëpitë e tyre qoftë të reja edhe në rikonstruksionin e pallateve”, – theksoi Arbana.

Ai bëri të ditur se “përveç banesave kemi edhe objektet arsimore si kopshti nr 1, ku për dy ditë mund të fillojë edhe faza e muraturës. Ky kopsht do të presë 150 fëmijë”.

Banorët e pallatit shprehen të kënaqur për rikonstruksionin e pallatit.

“Kemi 40 vjet në këtë pallat dhe nuk është ndërhyrë ndonjëherë, është shndërruar 100%. Kemi pasur probleme me ujin tani kemi furnizim me ujë të pijshëm”, – u shprehën banorët.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.