“Presidenca, shtojcë e LSI-së”, Çuçi: Meta sulm të paprecedentë mbi botuesin vetëm pse tregoi skandalin e pasaportave

TIRANË, 25 tetor /ATSH – I. Vata/- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi ka reaguar sot në lidhje me të dhënat e publikuara në media sipas të cilave presidenti ka dhënë shtetësi shqiptare ne shkelje të ligjit.

Në reagimin e tij Çuçi, dënon atë e quan sulm i paprecedent i presidentit Meta ndaj botuesit Carlo Bolino.

“Presidenti i vendit që muaj më parë shfaqej si “dashnor” i fjalës së lirë dhe bënte thirrje për themelimin e një “medie të re e transparente”, sot sulmoi në mënyrë të paprecedentë një botues dhe mori nëpër gojë bashkëshorten e tij vetëm e vetëm sepse ata i treguan publikut skandalin e pajisjes me pasaporte shqiptare të disa personave në shkelje flagrante me ligjin”, u shpreh Çuçi.

Ministri Çuçi thekson se presidenca për fat të keq është shndërruar në një shtojcë të partisë së familjare të Ilir Metës.

“I paimagjinueshëm sulmi dhe përdorimi i turpshëm që po i bëhet presidencës, e cila për fat të keq është shndërruar në një shtojcë të partisë familjare të Ilir Metës, të LSI-së së ikur në drejtim të paditur që do të marrë përgjigjen më 25 prill”, shprehet ministri Çuçi.

Në një reagim, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se: “pak ditë më parë kreu i shtetit përgëzoi një gazetare investigative, e quajti “misionare të fjalës së lirë”, e ndërkohë sulmon një koleg të saj, për shkak detyre. A s’duhet që liria e fjalës t’u jepet të gjithëve!? A s’duhet të ishte Presidenti i pari ta mbronte këtë të drejtë?”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.