PD: Në urgjencën e Sanatoriumit janë shtruar pacientë të prekur me COVID

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Partia Demokratike denoncoi sot se në urgjencën e Sanatoriumit janë shtruar pacientë të prekur me COVID.

Në një prononcim për mediat nga spitali “Shefqet Ndroqi”, ekspertja e PD për shëndetësinë, Liljana Ramasaçi akuzon ministren e Shëndetësisë, që sipas saj nuk ka asnjë ndjeshmëri për njerëzit.

PD deklaroi se Spitali Infektiv është tejmbushur dhe se prej ditës së djeshme urgjencat shkojnë të gjitha në spitalin e Sanatoriumit. Po ashtu Ramasaçi bëri të ditur se në spitalin infektiv, skaneri mjeti kryesor i punës, është jashtë funksionit.

Po ashtu, PD denoncoi për braktisje të detyrës edhe drejtorin e sanatoriumit në momentet e situatës së emergjencës.

Ky fakt, sipas PD-së, është fshehur nga ministrja Manastirliu.

“Sot, kur qytetarët kanë nevojë të dinë të vërtetën, në mënyrë që të mos përfundojnë si Lutfiu i ndjerë, Ogerta Manastirliu dhe Edi Rama zgjedhin të sulmojnë opozitën që ngre zërin për shqetësimin e qytetarëve”, u shpreh Ramasaçi./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.