Panairi “Tirana Agro 100”/ Ekspozohen produktet “Made in Albania”, fermerët e sipërmarrësit: Mbështetja financiare na zgjeroi biznesin

 

TIRANË, 24 tetor /ATSH/- Në Tiranë, është hapur Panairi “Tirana Agro 100”, ku fermerë dhe subjekte ekspozojnë produktet e tyre, Made in Albania, me një larmishmëri gjeografike nga të katër anët e vendit.

Dhurata Hiti nga Kavaja përfituese e Skemës Kombëtare për masën e mbështetjes në bletari, vjen në këtë edicion të Panairit “Tirana Agro 100” me prodhime të ndryshme mjalti.

Në një prononcim për ATSH-në ajo u shpreh se ka disa vite që merret me rritjen e bletëve. “Kemi një familje me rreth 2 mijë bletë të vendosura në 7 parqe në zona të ndryshme të vendit, nga të cilat marrim mjaltin, propolis, polen etj, të cilat po i  promovojmë edhe në këtë panair”, tha ajo.

“Jemi përfitues të Skemës Kombëtare për masën e mbështetjes në bletari dhe kemi marrë 150 mijë lekë për 200 krerë bletësh. Mbështetja financiare na ndihmon të zgjerojmë biznesin më tej ”- tha Dhurata.

Ndërsa qeramika Vasili në Lezhë, prezantohet në këtë panair me produkte të ndryshme qeramike tradicionale që nga tavat e dheut, vazot e ndryshme dekorative të zbukuruara me simbolet kombëtare etj.

Vasili na tregon se në punishten e tij prodhohen shumë lloje të ndryshme produktesh tradicionale që përdoren në kuzhinë apo si suvenire, që janë shumë të kërkuara nga tregu. “Kemi ngritur një biznes familjar ku punojmë të gjithë”- thotë ai.

Ylli Elezi ka sjellë në panair mjaltin e markës “Llogaraja”. Ai na tregon se është një biznes i regjistruar dhe se ka ndjekur procedurat e aplikimit dhe të përfitimit financiar nga Skema Kombëtare e mbështetjes në bujqësi 2020, sipas rregullave të AZHBR-së. “Aplikova dhe më morën në telefon  ku më njoftuan se jam përfitues i financimit për bletarinë”- tha Elezi.

Një tjetër biznes i bletarisë në këtë panair është edhe ai i Rakip Arizit, që ka 40 vjet që merret me bletët.

Arizi na tregon se që fëmijë është marrë me bletët dhe siç shprehet ai “jam rritur me to”. Ai thotë se mbështetja financiare që ka marrë nga Skema Kombëtare është ndihmë shumë e madhe për të, në zgjerimin e biznesit të bletëve.

Ndërsa Flora Sali shprehet për ATSH-së, se vjen nga Përmeti dhe merr pjesë në këtë panair me prodhime të ndryshme tradicionale të zonës, si reçelëra e komposto ku spikat edhe prodhimi i mjaltit.

“Eshtë viti i 6-të që përfaqësohem në këtë aktivitet me prodhimet e mjaltit. Jam përfituese e Skemës Kombëtare dhe kam mbi 100 koshere bletësh të cilat i shtegëtojmë në zonën malore të Përmetit për të marrë mjaltin tradicional nga kjo zonë“- thotë ajo.

“Jam prej vitesh prodhuese e mjaltit dhe jam e kënaqur që AZHBR na mbështet konkretisht këto vite me skemat e financimit”- deklaroi Sali.

Ndërsa Albana një vajzë e re, na tregon se ka tre muaj që nisur punë tek Edlira Sylaj që merret me prodhimin e veshjeve popullore tradicionale dhe të gjitha veshjet që prezanton në këtë panair, siç thotë ajo “i kam qëndisur vetë me dorë”.

“Jam munduar të risjell në veshjet popullore çdo gjë të traditës shqiptare. Qëndisja vitet e fundit nuk ka qenë shumë në treg por ne po mundohemi që çdo ditë e më shumë traditën shqiptare të mos e humbasim sepse është një pasuri për të gjithë ne. Edhe në kohën e mbylljes së ekonomisë nga covid, megjithëse në kushte të vështira ne nuk e kemi ndalur punën e qëndistarisë“ – shprehet ajo.

Agron Fusha nga Farja e Tiranës përfaqësohet me prodhimet tradicionale të qeramikës. Ai thotë se këtë biznes e ka të trashëguar brez pas brezi nga familja e tij dhe ka dëshirë që këtë profesion t’ia trashëgojmë edhe fëmijëve. Në këtë panair ai prezanton sende të ndryshme prej qeramike që nga tavat e dheut mjaft të kërkuara nga restorantet dhe konsumatorët e deri tek vazot, pjatat e sendet e ndryshme të zbukurimit. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.