ITALI – Riforcohen kufizimet pas një numri rekord rastesh me COVID-19

ROMË, 25 tetor /ATSH-AFP-ANSA/ – Italia do të miratojë kufizimet e reja kundër koronavirusit, si mbyllja e kinemave dhe teatrove, pas publikimit të shifrave rekord të kontaminimeve të reja, njoftuan shërbimet e kryeministrit italian, Giuseppe Conte.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte ka nënshkruar gjatë natës, sipas burimeve qeveritare, planin e ri të masave kufizuese antiCOVID-19, veçanërisht mbylljen duke nisur nga ora 18:00 të të gjitha restoranteve, bareve dhe ëmbëltoreve. 

Kinematë, teatrot, sallat e gjimanstikës dhe pishinat do të duhet të mbyllen, ndërkohë që baret dhe restorantet do të ndërpresin shërbimin pas orës 18:00, sipas këtyre masave, të miratuara pavarësisht protestave publike që kanë shpërthyer këto ditët e fundit, veçanërisht në Romë.

Rreth 20 000 raste të reja me COVID-19 u regjistruan gjatë 24 orëve të fundit në Itali, sipas të dhënave të njoftuara nga autoritetet, një rekord kombëtar.

Në total më shumë se 500 000 raste infektimi dhe 37 000 të vdekur janë regjistruar në vendin e parë europian më të goditur nga pandemia.

Shkollat dhe çerdhet do të qëndrojnë të hapura, ndërkohë që 75% e klasave në gjimnaze dhe universiteteve do të zhvillohen në internet.

Popullsisë i është bërë thirrje të shmangë sa më shumë të jetë e mundur transportin publik dhe lëvizjet jashtë komuniteteve./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.