COVID-19 – Efikasitet i kufizuar i plazmës së pacientëve të shëruar

PARIS, 25 tetor /ATSH-AFP/ – Transfuzimi tek të sëmurët me COVID-19 i plazmës së marrë nga personat e kontaminuar, por që janë shëruar tashmë nuk redukton mundësitë për t’u sëmurur rëndë apo të vdesin, sipas një studimi të publikuar sot. 

Ndërkohë që diapazoni i trajtimeve kundër koronavirusit të ri është ende shumë i kufizuar dhe kërkimi për një vaksinë po vazhdon, këto janë rezultatet e para të provave klinike që synojnë të vlerësojnë përfitimet e një transfuzioni të kësaj plazme (pjesë likide e gjakut që përqendron antitrupat pas një sëmundjeje), një metodë e autorizuar tashmë në vende të caktuara si India apo SHBA-ja.

“Si një trajtim për pacientët me COVID-19 që vuajnë nga forma të moderuara, plazma rikuperuese ka treguar efikasitet të kufizuar”, përfundon studimi i kryer në Indi dhe i botuar në revistën mjekësore BMJ, e cila kërkon gjithsesi  që të kryhen studime të reja  duke u përqëndruar në në plazmë që përmban nivele të larta të antitrupave neutralizues.

Sipas disa studimeve, transfuzioni i plazmës që përmban antikorpe ka rezultuar efikas për trajtimin e virusit të Ebolas apo SARS, që është e njëjta familje me koronavirusin e ri.

Për COVID-19, studimet e fundit vëzhguese kanë sugjeruar një efikasitet të mundshëm të plazmës./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.