Balla në fabrikën e prodhimit të rrjetave të telit në Elbasan: Investime të tilla prestigjoze garantojnë më shumë vende pune

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, vizitoi një nga bizneset e rëndësishme të Elbasanit, i cili prej shumë vitesh jep kontributin e tij në tregun vendas dhe sidomos për eksport.

“Grimer Gabion” është themeluar në Elbasan që në vitin 2002 dhe vit pas viti, pas punës së palodhshme dhe përkushtimit ka zgjeruar aktivitetin e saj.

Grimer e pajisur me certifikatat ISO, prodhon rrjeta teli të thurura, hekzagonale dhe të salduara; profile të kartonxhesit (gipsit) etj, por me synimin për të sjellë më të mirën në treg, kompania tashmë po punon për pajisjen me certifikatë CE.

Këto certifikata japin garancinë e cilësisë konform standarteve ndërkombëtare jo vetëm në Shqipëri, por dhe në tregun europian.

Aktualisht kompania ka 30 punonjës dhe me zgjerimin e aktivitetit kërkon të tjerë punëtorë të specializuar.

Në fjalën e tij, Balla falënderoi investitorin për punën e palodhur dhe prodhimet ‘Made in Albania’ në botë.

“Të tilla kompani kërkojnë të gjithë mbështetjen e nevojshme nga ana e qeverisë vendore e qëndrore për të krijuar të gjitha lehtësirat e mundshme për të zhvilluar aktivitetin e tyre. Vetëm investime të tilla, prestigjoze garantojnë më shumë vende pune dhe si rrjedhim rritjen e nivelit të jetesës”, – tha Balla./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.