UASHINGTON – SHBA dhe BE me mekanizëm të përbashkët të dialogut ndaj Kinës

UASHINGTON, 24 tetor /ATSH-AA/ – Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell hodhën hapin e parë të një procesi dialogu që parashikon ndjekjen nga afër të çështjeve lidhur me Kinën dhe zhvillimin e politikave të përbashkëta.

Në një deklaratë nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe shërbimi i marrëdhënieve me jashtë të BE-së, thuhet se Pompeo dhe Borrel zhvilluan një bisedë telefonike.

“Pompeo dhe Borrell filluan procesin e një dialogu të ri me qëllim për të diskutuar në një bazë të përbashkët dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse mes SHBA-së dhe BE-së për të gjitha çështjet lidhur me Kinën”, thuhet në deklaratë.

Në bazë të dialogut që do të zhvillohet mes Departamentit Amerikan dhe shërbimit të marrëdhënieve me jashtë të BE-së, do të monitorohen në mënyrë gjithëpërfshirëse çështje të tilla si regjistrat e të drejtave të njeriut të Kinës si dhe ato të sigurisë dhe plurarizmit.

Më tej bëhet e ditur se Pompeo dhe Borrell kanë diskutuar edhe për konfliktin që vazhdon në Nagorni Karabah dhe se ata kanë bërë thirrje që palët duhet të ndalojnë menjëherë konfliktin dhe të zbatojnë armëpushimin.

Pompeo dhe Borrell theksuan se palët përkatëse duhet të takohen sa më parë në kuadër të Grupit të Minskut./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.