Masat antiCOVID/Taskforca ndërinstitucionale vijon këshillimet e qytetarëve për mbajtjen e maskës


TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Taskforca ndërinstitucionale është në krye të detyrës për zbatimin e masave antiCOVID, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video të punës së përditshme në terren për ndërgjegjësimin e qytetarëve, në mbajtjen e maskave.

Ekipet e Task Forcës kanë vijuar edhe sot këshillimet për mbajtjen e maskës në rrugët më të populluara të Tiranës, për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e veprimeve individuale për të mirën e përbashkët.

“Mos harroni: maskë, distancë, higjienë”, tha Rama.

Inspektorët që po vijojnë të këshillojnë qytetarët i përkasin Inspektoriatit të Shëndetit, Inspektoriatit të Punës, atij të Pyjeve dhe Agjencisë së Barnave. Inspektorët janë të pajisur me jelekë të jeshilë, në të cilën në një rreth të kuq të madh shkruhet vetëm: “Mbani maskën!”. Detyra e inspektorëve do të jetë të ndalojnë qytetarët pa maskë, duke i këshilluar që ta vendosin atë, pa pasur juridiksion për të vendosur gjoba, diçka që mund ta bëjë vetëm Policia e Shtetit.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.