TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi vijoi me turin e vizitave dhe inspektimeve në shkolla të ndryshme të vendit në kuadër të mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe masave të ndërmarra anti-COVID.
Ditën e djeshme, shoqëruar nga deputeti i Qarkut Elbasan, Anastas Angjeli dhe përfaqësues të institucioneve vendore, Ministrja Kushi vizitoi 2 shkolla të ndryshme të qytetit të Gramshit.
“Me Prof. Anastasin, dje vizituam dy shkolla në Gramshin e njerëzve të urtë e shumë punëtorë. Fillimisht ishim në shkollën 9-vjeçare “Asllan Shahini”, e cila pas rikonstruktimit në vitin 2018-të është kthyer tashmë në një shkollë model me të gjitha kushtet më të mira bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit”, u shpreh Kushi.
Gjithashtu, ajo nënvizoi se ka inspektuar gjithashtu dhe “është njohur nga afër me situatën dhe nevojat e ndryshme të gjimnazit emblemë të këtij qyteti, “Shefqet Guzi”, i cili ndër vite ka grumbulluar një larmi arritjesh në olimpiada e gara të shumta në shkencë, art, sport e kulturë”.
Ministrja Kushi tha se është ndjerë mirë teksa gjatë bashkëbisedimit me nxënësit e mësuesit e dy shkollave ka parë një nivel të lartë ndërgjegjësimi mbi respektimin e masave anti-COVID dhe se fatmirësisht deri më tani, procesi mësimor është në rrugë të mbarë.
/m.m/