IRAN – Khamenei: Të bëhet gjithçka për të reduktuar bilancin e COVID-19

TEHERAN, 24 tetor /ATSH-AFP/ – Autoritetet shëndetësore iraniane duhet të bëjnë gjithçka për të reduktuar vdekshmërinë lidhur me epideminë e COVID-19, deklaroi sot lideri suprem, ajatollahu Ali Khamenei, në një shfaqje të rrallë publike. 

Takimi u zhvillua në Teheran me anëtarët e Komitetit Kombëtar të luftës kundër pandemisë, me pjesëmarrjen e presidentit, Hassan Rohani.

Sipas shifrave të fundit zyrtare të publikuara sot, pandemia ka shkaktuar 335 të vdekur në 24 orët e fundit duke e çuar bilancin total në 32 320 të vdekur.

Autoritetet kanë regjistruar 5 814 raste të reja në 24 orë duke e çuar bilancin total në 562 705 raste të konfirmuara në Iran, vendi më i prekur në Lindjen e Mesme.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka për të reduktuar numrin e viktimave nga koronavirusi i ri”, theksoi ajatollahu Khamenei gjatë takimit.

“Zyrtarët shëndetësorë duhet të sigurohen që personat e infektuar të identifikohen dhe trajtohen që në ditët e para të infektimit të tyre”, shtoi lideri suprem, komentet e të cilit u raportuan nga zyra e tij.

“Ekspertët më thanë se nëse e bëjmë këtë humbjet e jetëve do të zvogëloheshin konsiderueshëm”, shtoi ai./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.