Facebook dhe Twitter seancë dëgjimore në senatin amerikan

UASHINGTON, 24 tetor /ATSH-ANSA/ – Shefat e kompanive Facebook dhe Twitter kanë rënë dakord të përballen me një seancë dëgjimore me senatorët amerikanë për trajtimin e tyre të një historie të diskutueshme të ”New York Post” përpara zgjedhjeve presidenciale, deklaroi kryetari i Komitetit të Drejtësisë të Senatit, Lindsey Graham.

Sipas senatorit Graham, një aleat i vendosur i presidentit Donald Trump, CEO i Facebook Mark Zuckerberg dhe shefi i Twitter Jack Dorsey do të paraqiten vullnetarisht përpara komitetit më 17 nëntor, dy javë pas zgjedhjeve.

Komiteti i mbizotëruar nga republikanët votoi për të dëgjuar dy shefat, pasi platformat e tyre kufizuan qarkullimin e një artikulli të ”New York Post” që përmban akuza të vështira për t’u verifikuar për kandidatin presidencial demokrat, Joe Biden.

Historia u bazua në një seri e-mail-esh të marrë nga laptopi për të cilin u tha se ishte lënë  nga djali i Biden, Hunter Biden në një dyqan riparimesh. Është këmbëngulur se Joe Biden kishte përdorur pozicionin e tij të mëparshëm si ish-zëvendëspresident për të pasuruar djalin e tij.

Twitter fillimisht bllokoi përdoruesit nga shpërndarja e artikullit, duke pretenduar se ai shkel politikën e tij të materialeve komprometuese, por më vonë e bëri të qartë se nuk do të bllokonte më materialin e kompromentuar nëse nuk lëshohej direkt nga hakerat.

Facebook tha se do të kufizojë shpërndarjen e artikullit në pritje të kontrollit të fakteve.  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.