Byroja Kombëtare e Hetimit/ Ambasada e SHBA-së në Tiranë uron kandidatët fitues në testin fizik

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Ambasada e SHBA-së në Tiranë uroi sot kandidatët të cilët kaluan në raundin tjetër të procesit së përzgjedhjes për Byronë Kombëtare të Hetimit.

“Jo të gjithë ia dolën sepse procesi është i vështirë, por i domosdoshëm, për të gjetur më të mirët e Shqipërisë”, thuhet në një njoftim të ambasadës amerikane.

Komisioni i Përzgjedhjes i Byrosë Kombëtare të Hetimit përfundoi dje procesin e testit për aftësitë fizike dhe përzgjedhjes së kandidatëve, për fazat e mëtejshme të konkurrimit.

Janë 103 kandidatë që kanë kaluar këtë fazë dhe në fazën tjetër do t’i nënshtrohen testit të esesë me shkrim, që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve më datë 26 tetor.

Testimi i Aftësive Fizike u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.

Përmbyllja e fazave testuese do të nxjerrë 60 kandidatë fitues që do t’i bashkohen Byrosë Kombëtare të Hetimit pas trajnimit në Akademinë e FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Punonjësit e BKH-së supervizohen dhe operojnë vetëm nën drejtimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorëve të Posaçëm të Prokurorisë së Posaçme./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.